Një lajm i mirë u dha këtë të mërkurë nga zëvendësministrja e Shëndetësisë, Mira Rakacolli.
Teksa deklaroi se në 24 orët e fundit janë shëruar edhe 11 pacientë të tjerë, ajo shtoi se në pesë qytete momentalisht janë shëruar të gjithë të infektuarit.
Bëhet fjalë për Tropojën, Beratin, Lezhën, Mirditën dhe Rrogozhinën.
“Rezulton se Berati, Lezha, Mirdita, Rrogozhina dhe Tropoja janë zona ku të gjithë të prekurit deri tani, janë aktualisht të shëruar.”
Por teksa të martën u duk se për Tiranën kishte dritë në fund të tunelit sepse për herë të parë që nga shpërthimi i pandemisë nuk kishte asnjë rast të ri, kjo gjë duket se ra poshtë sot.
Rakacolli bëri me dije se në 24 orë janë shtuar edhe 3 raste të reja në kryeqytet. Rritje ka pësuar numri i të infektuarve edhe në Elbasan, Shkodër, Krujë dhe Kurbin.
“Vijon hetimi epidemiologjik dhe gjurmimi i kontakteve në Krujë ku kanë rezultuar 18 raste pozitive, ndërsa rastet e tjera janë 3 në Tiranë, 2 raste në Elbasan, 1 rast në Shkodër, 1 rast në Kurbin.”
