Ka shkuar në 5 numri i rasteve me Covid-19 në qytetin e Beratit. 4 rastet që kanë rezultuar pozitivë pas testimeve të kryera ditën e djeshme i përkasin familjarëve të një 45-vjeçareje që punonte në një fasoneri (rrobaqepësi) në qytetin e Beratit. Pasi ka rezultuar se e infektuara punonte në një fasoneri,Drejtoria Rajonale e Shëndetit Publik Berat ka kryer rreth 87 testime në punonjësit e fasonerisë dhe drejtuesit por asnjë prej tyre nuk ka rezultuar “pozitiv”,kjo edhe për faktin se e infektuara kishte më shumë se 10-ditë që nuk paraqitej në punë sepse ishte e sëmurë. Mjekët infeksionistë në Berat deklarojnë se,ajo kishte më shumë se një javë me temperaturë deri në 38.5 gradë,kollë të fortë dhe këputje trupore. Pas përkeqësimit të gjendjes së saj,e infektuara është dërguar në QSUT në Tiranë. Përveç punonjësve të fasonerisë,ditën e djeshme janë testuar edhe familjarët e saj,ku 4 prej tyre kanë rezultuar “pozitiv”. Të infektuarit janë dy prindërit e bashkëshortit të saj,bashkëshorti i saj 53-vjeç dhe vajza e saj 19-vjeçe. Të katërt familjarët janë vetëkarantinuar në banesë dhe gjendja e tyre shëndetësore është e mirë. Sipas epidemiologëve në Berat, sot do të kryhen edhe tamponët e personave të kontaktit të 45-vjeçares dhe familjarëve të saj,ndërkohë që konfirmohet se është dezinfektuar edhe banesa e tyre.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re