5 raste të reja me Covid-19 janë regjistruar 24 orët e fundit në Berat. Të gjithë rezultojnë të jenë familjarët e punonjëses së bashkisë Berat që rezultoi te enjten “pozitive” me koronavirus. Njëra prej të infektuarve është Infermiere në Repartin e Kirurgjisë në Spitalin Rajonal të Beratit. Kjo ka vënë në alarm gjithë spitalin, ku pritet që sot të kryhen rreth 60 testime në të gjithë stafin (mjekë, infermierë e sanitarë) që kanë qënë çdo ditë në punë e në kontakt të vazhdueshëm me infermieren e prekur nga Covid-19.

Pas mbërritjes mëngjesin e sotëm të 42 testeve të kryera dje nga Drejtoria e Shëndetit Publik Berat, 5 prej tyre rezultuan  “pozitivë” dhe ata janë të gjithë familjarët e punonjëses së bashkisë të prekur nga Covid-19 kanë rezultuar 2 prindërit e saj, motra, vëllai dhe vajza 2-vjeçe, ndërkohë që bashkëshorti ka rezultuar “negativ”. Drejtoria e Shëndetit Publik në Berat ka kryer dje 42 “tampone”, 14 i përkisnin familjarëve të punonjës së bashkisë dhe 28 ishin punonjës në bashkinë e Beratit dhe persona kontakti me të.  Të gjithë personat që kanë rezultuar “pozitivë” me Covid-19 në Berat janë karantinuar në banesat e tyre, ndërkohë që në bashkinë e Beratit, pas dezinfektimit të saj dhe mbërritjes së të gjitha rezultateve negative të punonjësve,puna vijon normalisht, duke respektuar masat e sigurisë.

Rastet e regjistruara këtë të premte e çojnë në 10 numrin e personave të prekur nga Covid-19 në Berat.

Burimi: vizion plus

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re