Vdekja e 3-vjeçares Iza Dërrasa 5-vjet më parë në Spitalin e Beratit,përfundon gjykimi edhe në Gjykatën e Apelit Vlorë, apeli lë në fuqi vendimin e Gjykatës së Beratit, mjekja dënohet me 2-vjet shërbim prove. Prindërit e vajzës nuk janë dakort me këtë vendim dhe kërkojnë “burgim” për mjeken. 

Vdekja e 3-vjeçares Iza Dërrasa 5-vjet më parë në Spitalin e Beratit, përfundoi së gjykuari edhe në Gjykatën e Apelit Vlorë,ku u apelua vendimi i dhënë nga Gjykata e Beratit jo vetëm nga prindërit e vajzës por edhe nga mjekja e akuzuar për vdekjen e vajzës së vogël.

Edhe pse prokurori i Prokurorisë së Beratit Dritan Gripshi kërkoi për mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi 4-vite burg dhe heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit,Gjykata e Shkallës së Parë Berat vendosi në  22.11.2018 deklarimin fajtor të të pandehurës Shpresa Karkanjozi për kryerjen e veprës penale “Mjekim i Pakujdesshëm”,parashikuar nga Neni 96/1 i Kodit Penal dhe dënimin e saj me 1 vit burgim.

Në aplikim të Nenit 59 të Kodit Penal u urdhërua në këtë vendim pezullimi i ekzekutimit të vendimit të dënimit me burgim për të pandehurën Shpresa Karkanjozi,duke e konvertuar atë në shërbim prove me afat dy vjet,me kusht që gjatë kohës së provës të mos kryente asnjë vepër tjetër penale.

Gjithashtu Gjykata e Shkallës së Parë Berat vendosi për të dënuarën Shpresa Karkanjozi edhe “heqjen e të drejtës së ushtrimit të profesionit si mjeke pediatre” për dy vjet.

Disa ditë më parë,Gjykata e Apelit Vlorë e mbylli gjykimin e saj,duke lënë në fuqi vendimin e marrë nga Gjykata e Beratit për mjeken Shpresa Karkanjozi,ndërkohë që dje ky vendim u ekzekutua edhe nga Prokuroria e Beratit.

Që prej ditës së sotme fillon edhe ekzekutimi i vendimit për mjeken pediatre Shpresa Karkanjozi,e cila do të kryeje dy vjet shërbim prove.

Prindërit e vajzës që humbi jetën në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat,Zhevair dhe Anila Dërrasa nuk janē dakort me këtë vendim të dhënë edhe nga apeli i Vlorës dhe kërkojnë “burgim” për mjeken që i mori jetën vajzës së tyre.

Ata deklarojnë se do ta ndjekin çeshtjen edhe në instanca më të larta dhe nuk do të gjejnë asnjë ditë paqe derisa mjekja të dënohet me burgim për krimin e kryer.

Ata akuzojnë mjeken Shpresa Karkanjozi se,edhe pse nuk duhet ta ushtronte më profesionin si mjeke, nuk ka reshtur asnjë ditë së punuari fshehurazi brenda ambjenteve të një farmacie në qytet.

Mes lotësh e dhimbjeve dhe pas dergjjes prej 5-vjetën në sallat e gjykatave,ata kërkojnë drejtësi për vdekjen e vajzës së tyre.

3-vjeçarja Iza Dërrasa gjeti vdekjen në Repartin e Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Beratit,ku ishte e shtruar prej 2-ditësh.Ngjarja e rëndë ndodhi në 23 Janar 2017,kur vogëlushja Iza Dërrasa ndërroi jetë,për shkak të mjekimit të pakujdsshëm dhe neglizhencës së mjekëve të këtij Reparti.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re