Zv/Ministrja e Drejtësisë, Adea Pirdeni, ka qenë e ftuar këtë të premte në studion e Fax News, për të folur mbi 5 vjetorin e miratimit të reformës në drejtësi.

Adea Pirdeni deklaroi se transformimi i sistemit gjyqësor sigurisht që ka nevojë për kohën e tij, duke shtuar se tashmë strategjia e re 2021/25 parashikon rritjen e eficcensës së sistemit.

“Në fakt reforma është një proces, i cili ka pasur në qendër transformimin e të gjithë sistemit. Kjo kërkon kohën e saj. Kjo reformë ka në thelb jo vetëm angazhimin e një sërë aktorësh të rëndësishëm të sistemit, por ka disa objektiva të rëndësishëm , si heqja e korrupsionit endemik në gjyqësorin shqiptar dhe promovimin e integritetit të  gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në fokus të strategjisë së re 2021-2025 është rritja e eficcensës së sistemit. Tashmë që institucionet janë funksionale është e rëndësishme që këto institucioneve është të prodhojnë rezultate. Në thelb ishte që ata të cilët do të zgjidhnin prokurorët dhe gjyqtarët e rinj duhet që vetë të kishin kaluar filtrat. Si pasojë e vetingut një numër i madh prokurorësh dhe gjyqtarësh kanë lënë sistemin. Mendojmë se egzistojnë kapacitet e duhura për të krijuar një korpus gjyqtarësh që do t’i shërbejnë qytetarëve më së miri”, u shpreh ajo.

Më tej, zv/Ministrja deklaroi se 5-vjetori i Reformës në Drejtësi është një moment për të festuar por edhe për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat e ardhshme.

“Është një moment për të festuar 5 vjetorin e drejtësisë, por dhe një moment për të reflektuar mbi arritjet dhe sfidat që  përballet sistemi i drejtësisë. Reforma në drejtësi është reforma më gjithëpërfshirëse ndërmarrë ndodnjëherë në Shqipëri në kohët e fundit. Të gjithë jemi dëshmitarë për vështirësitë në ngritjen e institucioneve të reja. Natyrisht që pritshmëritë janë të larta. Kjo reformë është në rrugën e drejtë”, theksoi Pirdeni.

E pyetur mbi korrupsionin në gjykata, zv/Ministrja u shpreh se lufta kundër korrupsionit në gjyqësor ka qenë kryefjala e reformës në drejtësi.

“Beteja kundër korrupsionit në gjyqësor ka qenë kryefjala e reformës në drejtësi, pra shkarkimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve që nuk plotësonin kriteret e vendosura në kushtetutë. Aksionet e SPAK? Natyrisht që në pozicionin tonë, Ministria e Drejtësisë monitoron të gjithë procesin e zbatimit të reformës së drejtësisë. Rezultatet që këto institucione po dëshmojnë janë dëshmi e punës së mirë që është bërë në ngritjen e këtyre institucioneve“, tha ajo.

(E.H/Faxweb.al)

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re