Rritet numri i shtetasve shqiptarë që shkojnë në Greqi për punësim sezonal. Burime zyrtare nga Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit bëjnë të ditur se vetëm ditën e sotme kanë udhëtuar rreth 50 shtetas, ndërsa nga e premtja e deri të dielën kanë udhëtuar drejt Greqisë nga 20 persona çdo ditë.

Të gjithë shtetasit shqiptarë të cilët shkojnë në shtetin fqinj për punësim sezonal udhëtojnë me autobusë të përzgjedhur nga pala greke.

Aty respektohen të gjitha protokollet e sigurisë për të ruajtur shëndetin e njerëzve, të parashikuara në protokollet shëndetësore të të dy vendeve, për t’u mbrojtur nga përhapja e COVID-19.

Ky numër shtetasish sipas të njëjtave burime pritet të jetë më i madh gjatë ditëve në vijim, nisur kjo edhe nga aplikimet e shumta që janë kryer në të gjitha bashkitë e qarkut të Korçës për punësim sezonal.

Në total janë rreth 4300 persona që kanë kryer aplikimin për t’u punësuar në shtetin grek. Përzgjedhja e këtyre personave bëhet në bazë të një marrëveshjeje të realizuar mes dy vendeve pasi kanë marrë më parë miratimin e punëdhënësve grekë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re