Ministri gjerman i zhvillimit, Gerd Müller, ka tërhequr sot vëmendjen e mediave me një propozim interesant.

Ai planifikon një rritje të madhe të kuotës së ndihmave që Gjermania u ofron refugjatëve, të cilët kthehen vullnetarisht në vendet e tyre.

Kështu, Müller kërkon që shuma prej 150 milionë eurosh që jepet sot për këtë, të rritet në 500 milionë euro.

Programi i ndihmave për kthim, me emrin “Perspektiva Atdheu” synon që të ndihmojë emigrantët të cilët kthehen nga Gjermania për të ndërtuar mbijetesën në atdheun e tyre.

Kjo ndihmë nënkupton këshillimet për ngritjen e ekzistencës ose programet për trajnim profesional dhe punësim.

Më e leverdishme se mbajtja si refugjatë në Gjermani

“Në programin e ndihmës për kthim, në të ardhmen duhet të derdhen 500 milionë euro në vit”, ka deklaruar Müller për Agjencinë Gjermane të Lajmeve DPA.

“Kjo është shumë më e volitshme se sa të mbahen njerëzit këtu në Gjermani”, ka thënë ai.

Deri tani për programin e nisur në mars të vitit 2017 ishin planifikuar vetëm 150 milionë euro. Vendet për ku janë destinuar këto para janë: Shqipëria, Kosova, Serbia, Tunizia, Maroku, Gana, Senegali, Nigeria, Iraku, Afganistani dhe Egjipti.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re