Një ngjarje e rëndë është regjistruar në qytetin e Kuçovës, ku një familje e tërë është dhunuar e terrorizuar nga 6 persona. Denoncimi në lidhje me ngjarjen është bërë publik në media nga 34-vjeçari Arbër Liço. Liço ka deklaruar se 6 persona i kanë shkuar në banesë me shkopa bejzbolli dhe kanë tentuar me forcë të hyjnë brenda. Arbri ka mundur të mbyllë portën por është rrahur prej tyre me shkopa bejzbolli dhe shenjat e dhunës i ka ende në trup, edhe pse kanë kaluar 2-ditë nga ngjarja.

Pasi u larguan nga banesa e familjes Liço, agresorët u kanë thënë “jeni të vdekur”. Arbri ka njoftuar policinë, e cila ka mbërritur në banesën e Arbër Liços, në lagjen “11 Janari” në Kuçovë. Pas kësaj,ai ka bërë edhe një kallzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Berat, përpara oficerit të Policisë Gjyqësore Dilaver Xhaferraj.

Qytetari i dhunuar, Arbër Liço

“Kam qenë duke u kthyer nga puna në hyrje të Kuçovës rreth orës 6. Ka qenë Loni Malaj me një person të quajtur Xhelo të cilët më kanë sharë dhe më kanë ofenduar. Arsyen nuk e di, kam ndaluar makinën dhe i kam pyetur pse më shanin, kanë vazhduar po njësoj.

Kam shkuar në shtëpi, më pas më ka ardhur Loni Malaj bashkë me djalin e vet Gert Malajn me shkopa bejsbolli, kanë dhunuar banesën, më kanë sharë, më kanë ofenduar, më kanë kërcënuar mua prindërit e mi dhe nipin tim. Me shpejtësi kam mbyllur portën me celës, nuk i kam lënë të hyjnë brenda. Lon Malajn e njoh, Gert Malajn e njoh, personat e tjerë me fytyrë i njoh.

Kam lajmëruar policinë e shtetit, kanë bërë ato hetimet e veta, i kam kërkuar të gjejnë personat që e kanë bërë këtë. Më kanë thënë që nuk i kanë gjetur, por Kuçova është e vogël, po të duan ata i gjejnë. Nuk mund të jetë e vështirë në një qytet kaq të vogël, ku të gjithë e njohin njëri tjetrin.

Më kanë terrorizuar, kërcënuar me jetë e me të gjithë. Arsyen nuk e di, të ma japi Loni Malaj se unë nuk e di. Të gjenden personat që na kanë kërcënuar, nëse nuk duan të na lënë të jetojmë këtu, të na thonë e të dalim të ikim jashtë shtetit.”/ Burimi: FAX NEWS

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re