Skip to content

“6 poçari kanë mbetur në Shqipëri” Rrëfimi i një punëtori për zanatin që po zhduket në vend

Screenshot 41 1

Zanati i poçarisë daton mijëra vjet përpara se njeriu të krijonte civilizimet e para. Në botë janë gjetur enë balte që janë bërë mbi 18 mijë vite më përpara nga dora e njeriut.

Në Shqipëri, enët e baltës i gjen shpesh nëpër muzeume. Që prej kohës së ilirëve e deri më tutje, vendi ynë ka patur të zhvilluar zanatin e poçarisë.

Por sot në shekullin e XXI, duket se ky zanat po zhduket në Shqipëri. Ata mjeshtra të mbetur, shumica janë në moshë të madhe. Këta të fundit e kanë trashëguar brez pas brezi zanatin e poçarisë, por duket se të rinjtë nuk janë më të interesuar të ndjekin këtë zanat, që përbën një art më vete.

Një prej poçarëve në Shqipëri, Leonardi, tregon se e mësoi zanatin prej të atit. Në Shqipëri thotë ai, kanë mbetur afro 6 poçari në total. Ende blihen në treg enët e gatimit, por krijimet e tjera kanë njohur një rënie të dukshme.

“Kam rreth 12 vjet në këtë profesion. E kishte babai si punishte, ustallarë të tjerë nuk kishte e vazhdova ta mësoj vetë. Enët e gatimit shiten, pastaj tek vazot për lulet e të tjera ka një rënie të blerjeve, pasi del kostoja e lartë e njerëzit janë më shumë tek plastika.”

Screenshot 39 3

Sa poçeri kanë mbetur në Shqipëri?

“6 poçeri… nuk ka më. Shteti duhet të stimulojë, të japë më shumë vëmendje. Si zanat është thuajse në harresë. Energjinë e kemi të shtrenjtë, e kemi me biznesin e madh, por ja që ne punojmë me dorë.”-tregoi zanatçiu në intervistë për Top Channel.