Skip to content

6 prej të lënduarve në aksidentin tragjik ende në spitalin në Kroaci, si është gjendja e tyre

 

 

Kanë kaluar tashmë dy javë nga ngjarja tragjike në Sllavonksi Brod të Kroacisë, ku një autobus me targa të Kosovës u aksidentua e për pasojë ndërruan jetë 10 persona e dhjetëra të tjerë mbetën të lënduar.

Këtë të shtunë autoritetet e Kosovës kanë njoftuar se ende sot në spitalin e Brodit ndodhen 6 pacientë që vijojnë trajtimin mjekësor në Kroaci.

“Gjashtë qytetarë të lënduar në aksidentin tragjik në Kroaci ende janë në trajtim mjekësor në spitalin e Slavonski Brodit. Gjendja e tyre shëndetësore është stabile dhe ata janë në përkujdesin e mjekëve dhe vëmendjen e zyrtarëve të Ambasadës së Kosovës në Kroaci, të cilët janë në dispozicion për çdo kërkesë të spitalit lidhur me pacientët”, thuhet në njoftim.

Media kroate rikrijon dinamikën në video 3D, si ndodhi aksidenti me 10 viktima?

Në momentin e aksidentit, që ndodhi më 25 korrik në afërsi të Slavonski Brodit në Kroaci, në autobusin që po qarkullonte në linjën Frankfurt- Prishtinë kanë qenë 67 pasagjerë dhe 2 shoferë. 

Në spitalin “Dr. Josip Benčević” kanë marrë ndihmë mjekësore 42 qytetarë. 10 bashkatdhetarë nuk i mbijetuan aksidentit. Pas përfundimit të trajtimeve mjekësore dhe përmirësimit të gjendjes shëndetësore, në Gjermani janë kthyer me aeroplan 7 qytetarë, ndërsa njëri me transport të veçantë. Në Kosovë, në formë të organizuar dhe privatisht janë kthyer 53 qytetarë.