Stafi i Spitalit “Shefqet Ndroqi” ka reaguar pas ngjarjes së rëndë të ndodhur mbrëmë pas mesnate, ku u hodh nga lartësia duke gjetur për pasojë jetën 60-vjeçarit Leonard Skabona.

Ndërsa i shpreh ngushëllimet familjes, stafi i spitalit deklaron se i ndjeri ishte shtruar pasditen e 28 nëntorit në spital dhe një ditë më vonë është transferuar në katin e parë (mbi atë përdhes), ku edhe kreu aktin e rëndë.

Stafi i Spitalit thotë se një hetim ka nisur mbi arsyet e vdekjes, ndërsa siguron se ka siguruar shërbimin e psikologut dhe ka shtuar masat e sigurisë.

Reagimi i spitalit:

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” shpreh dhimbjen për humbjen e jetës së 60-vjeçarit me inicialet L.S., nga Kurbini i cili i dha fund jetës mbrëmë pas mesnate, dhe i shpreh ngushëllimet më të sinqerta familjes së tij.

60-vjeçari i konfirmuar me COVID-19, ishte shtruar pasditen e datës 28 nëntor në spitalin “Shefqet Ndroqi”, ku iu kryen ekzaminimet imazherike dhe u trajtua me terapinë e plotë të mjekimit në pavionin e urgjencës.

Më datë 29 pacienti është transferuar në pavionin e katit të parë (mbi katin përdhes) ku edhe ka kryer aktin e rëndë.

Lidhur me arsyet që e çuan 60-vjeçarin drejt këtij akti ekstrem, është duke u kryer hetimi nga ana e organeve kompetente.

Stafi i spitalit universitar “Shefqet Ndroqi” ka siguruar shërbimin e psikologut dhe ka shtuar masat e sigurisë.

Stafi mjekësor është në gatishmëri të plotë dhe i sigurojmë qytetarët se po punojmë dhe do të vazhdojmë të punojmë me përkushtim dhe profesionalizëm për çdo pacient që trajtohen në spitalin tonë.