Nëntori i vitit 1959 me realizimin e një shfaqje të plotë cirku, që u titullua ‘‘Shkopi Magjik’’, do të shënonte momentin e lindjes së Cirkut Shqiptar.

 

Në përvjetorin e tij të 60-të, Ministria e Kulturës organizoi sot një ceremoni në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar. Gjatë kësaj ceremonie u nderuan me dekoratën e mirënjohjes  figura më të të njohura të cirkut shqiptar, për pasionin dhe përkushtimin e dëshmuar për të mbajtur gjallë këtë art të veçantë.

 

Gjatë ceremonisë u promovua edhe libri i mjeshtres së madhe Vitore Sallaku me kujtime, histori dhe emrat më të njohur të cirkut shqiptarë. Edhe në ditët e vështira pas tërmetit, artistët e Cirkut ishin ndër të parët, që u gjendën pranë fëmijëve, në zonat më të prekura.

 

Arti i cirkut në vendin tonë është i pëlqyeshëm nga të gjitha moshat. Nuk ka një skenë, stadium apo shesh në Shqipëri ku artistët akrobatë nuk kanë luajtur dhe nuk kanë shfaqur aftësitë e tyre të rralla artistike. Ata gjithmonë janë duartrokitur  fuqishëm nga shikuesit.

 

Cirku Shqiptar është një pjesë e pandarë e cirkut botëror. Pionierët e parë të këtij arti në vendin tonë u shfaqën gjatë viteve 1932-’35, kryesisht në fushën e iluzionit dhe të ekuilibrit mbi tel. Në vazhdimësi numri i tyre u rrit dhe profilet ku ata luanin u zgjeruan, duke u pasuruar me numrat akrobatikë, numrat ajrorë, ato me kafshë, kllounatë e xhongleristikë.

 

Në vitin 1959 ata artistë kurajozë e të talentuar realizuan një shfaqje të plotë cirku të titulluar “Shkopi Magjik” Ky moment i rëndësishëm shënon krijimin e Cirkut Shqiptar, një pjesë e rëndësishme dhe me vlerë e kulturës dhe artit tonë kombëtar.

 

Në këtë rrugë të gjatë të rritjes, me vështirësi dhe suksese, artistët dhe drejtuesit e cirkut, këta njerëz që patën kurajon të kultivonin këtë gjini specifike, bënë të mundur që vendi ynë i vogël të kishte një vlerë të veçantë kombëtare artistike e kulturore.

 

Cirku Kombëtar përfshin në repertorin e tij vlera nga cirku botëror, por gjithashtu edhe vlera tradicionale. Këto vlera pasqyrohen në ilustrimet muzikore, ritmet, veshjet dhe në një masë më të madhe në idetë dhe skenografitë e shfaqjeve.

 

Artistët e nderuar: Telat Agolli (Pas Vdekjes); Gjyzepina Shkurti; Ismail Reka; Tahir Baçova; Vitore Sallaku; Bajram Kurti; Skënder Sallaku (Pas Vdekjes); Ndriçim Kazazi; Ali Jucja; Jakobin Pepa; Arjan Miluka; Skënder Plasari; Arben Shaka; Pavllo Sallata; Vilson Gjoçaj; Met Selimi; Kujtim Dumi; Fatos Roshi (Pas Vdekjes); Fatos Alla; Bujar Bodinaku;  Sulejman Dibra (Pas Vdekjes); Ali Xhixha ( Pas Vdekjes); Ali Duma ( Pas Vdekjes); Pineo Shkurti ( Pas Vdekjes); Fitnete Duro; Sanie Baçova; Sekine Ahmeti; Gjyslime Petrela;

Halil Minxolli (Pas Vdekjes); Hamdi Petrela; Kostandin Papanikolla; Pranvera Agolli; Kozeta Kurti; Silvana Derveni; Sokrat Buzo; Nevruz Hyseni; Merita Dabulla; Agron Muho; Bashkim Rada ( Pas Vdekjes); Adon Miluka; Blerim Reçi; Arjan Sukniqi; Kiço Londo; Sajmir Çili; Andrea Minga; Nexhi Dakli; Agron Starzimiri; Ymer Pampuri; Rajmond Gajtani; Agron Veizi; Kujtim Zuna; Dhimokrat Shahini;  Llaqi Nako; Verdi Take.

TIRANE, 12 dhjetor/ATSH/

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re