Biseda e veçantë mes yllit të muzikës pop, Dua Lipa dhe autores së njohur, Lea Ypi ka sjellë në vëmendje një diskutim të thellë mbi demokracinë, elitat politike dhe rëndësinë e protestës në shoqërinë e sotme. Në episodin e radhës të podcast-it Service95 Book Club, dyshja ka ndalur vëmendjen te lëvizjet qytetare në Shqipëri dhe mesazhi që ato përcjellin për përballjen me apatinë politike.
Dua Lipa ka komentuar një nga sloganet e forta të protestës: “Shqipëria nuk shitet”, dhe i është përgjigjur një prej komentuesve të programit i cili ngre pyetjen: “Si mund të shmangim lodhjen nga protestat?”, duke nxitur kështu një diskutim të thellë mbi lëvizjet qytetare në Shqipëri.
Gjatë podcastit, Lea Ypi shprehet se “është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje”.
Biseda në podcast
Dua Lipa: Do të doja t’ua kaloja fjalën në këtë moment lexuesve të Service95, sepse kam disa pyetje nga ata për të ndarë. Kjo pyetje lidhet me protestat “Shqipëria nuk shitet”, dhe thotë: “Si mund të shmangim lodhjen nga protestat?” – Cassidy
Lea Ypi: Mendoj se është e rëndësishme ta shohim demokracinë si diçka që jeton edhe përmes këtyre rasteve të protestës, dhe jo ta reduktojmë demokracinë thjesht në pjesëmarrje në zgjedhje, jo ta reduktojmë te elitat ekzistuese, dhe të mos mendojmë se e kemi kryer detyrën thjesht në atë ditë kur kemi shkuar dhe kemi zgjedhur një përfaqësues në vend të një tjetri. Dhe të kuptojmë se në këto raste, protestat mund të jenë gjithashtu krijuese. Ato mund të gjenerojnë ide, mund të gjenerojnë projekte, dhe…
Dua Lipa: Po.
Lea Ypi: Për mua, është shumë përcaktuese t’i përmbahemi kësaj dhe të mos i dorëzohemi apatisë e cinizmit. Dhe këtu, në fillim, njerëzit po këndonin, po kërcenin dhe po u shpërndanin lule policisë, kështu që ishte thjesht një mënyrë vërtet ndryshe për të bërë një protestë…
Dua Lipa: Po, për të protestuar.
Lea Ypi: …të cilën e ndjeva se ishte vërtet frymëzuese dhe mund të shërbente si shembull se si vendet e tjera duhet t’u përgjigjen elitave të tyre dhe t’i përgjigjen kësaj kapjeje oligarkike të politikës.
