Teatri Kombëtar për fëmijë mbushi 68 vjet nga dita e krijimit të tij, kur u shfaq premiera e parë “Fatbardha” e shkrimtarit sovjetik Shnejdor, e cila u shfaq në skenën e Kinema Republika, në mjediset e të cilës zhvilloi aktivitetin e tij Teatri i Kukullave deri në vitin 1955.

Inisiatori i parë, si regjisor për eksperimentimin e Teatrit të Kukullave, ishte Xhemal Broja, i cili mblodhi aktorët e parë si: Marta Burda, Eleni Plasari, Ana Kçira, Myftar Armiri, Avni Resuli, Tiftire Keta, Qenan Toro, Enver Dauti, Melpomeni Çobani etj. Kukullat u përgatitën nga Ndoc Kodheli, dekoret nga piktori Rrok Dabërdaku dhe kostumet nga Veta Stillu ndërsa skenograf ishte Rustem Qenani.

Teatri i parë profesionist i Kukullave kishte në përbërje vetëm nga 12 persona nga të cilët: një regjisor, një piktor për kukullat e skenat, pesë aktorë, një marangoz, një rrobaqepës, një elektriçist, një makinist dhe një llogaritar.Premiera e dytë ishte “Hirushja” e shkruar nga Llazar Verria u shfaq në 20 mars 1951.

 

Në Maj, 2003 Teatri i Kukullave, mori statusin Kombëtar dhe në vitin 2005, u emërtua Teatri Kombëtar për Fëmijë. Ky teatër që ka një sallë me 160 vënde jep mbi 500 shfaqje në vit në të gjithë vendin.

Disa nga shfaqet më të arrira të tij janë: “Borëbardha”, “Qerosi mundi Katallanin”, “E bukura e Ujrave”, “Pinoku”, “Semi gjeti një këpucë”, “Djali që humbi orët”, “Kur gëzohet Baba viti”, “E bukura dhe Bisha”, “Rrëmbimi i trëndafilit”, “Kacamisri kërkon shokët”, “3 Derrkucët”,etj.

Ndër aktorët në vite të këtij teatri që kanë realizuar premiera të ndryshme janë: Zija Grapshi, Xhavit Xhepa, Agron Gashi, Pleurat Armiri, Xhavit Sallaku, Bardhyle Nase, Rina Toro, Ibrahim Braho, Meliha Jorgji, Lin Ndoka, Myzejen Poçesta, Mirketa Çobani, Eva Pëllumbi, Lorenc Pepa, Mira Minga, Bakie Baboçi, Florinda Mazreku, etj.

 

/aktoretshqiptare.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re