As pesë ditë nuk ka zgjatur emërimi i Viola Himës si drejtore e komanduar e Kadastrës së qytetit të Vlorës. Institucioni që për shkak të probleme dhe konflikteve, si dhe hetimeve të nisura nga prokuroria për hetimet mbi dhënien e titujve të pronësisë, nuk po gjen qetësi, pasi brenda 9 muajve ka ndërruar shtatë drejtorë.
Sot u njoftua se në vend të Himës është caktuar Jurgen Pilkati, i cili pritet të prezantohet zyrtarisht.
Partia Demokratike në lidhje me këto ndryshime të shpeshta e lidh me problemet e pronësisë në zonën e Jalës, duke nënkuptuar trojet që kanë probleme dhe për presionet që po ushtron qeveria.
“Dorëheqja e gjashtë në Kadastrën e Vlorës është dëshmia më e pakundërshtueshme se Shqipëria nuk ka qeveri për qytetarët, por një bandë që lufton me një bandë tjetër për të grabitur bregdetin dhe pasuritë e tjera. Vizitat qesharake blic të Erion Braçes dhe urdhrat e pavlerë politikë të Edi Ramës për t’i falur bregdetin e Jalit mikut të tij, kanë përfunduar në koshin e plehrave. Nëse Edi Rama do të kishte harxhuar kaq shumë kohë dhe energji jo për të grabitur prona, por për problemet e vërteta të qytetarëve, sot nuk do të ishin në prag falimentimi me mijëra biznese. As i shtati i komanduar sot në Vlorë nuk ka për të zgjatur, sepse askush nuk është i gatshëm te shkojë në burg për të bërë Edi Ramën pronar të paligjshëm edhe të bregdetit të Jalit”, thuhet në deklaratën e PD-së.
