Presidenti Ilir Meta uroi mësuesit këtë të shtunë për festën e 7 Marsit. Përmes një postimi në “Facebook”, Meta kujtoi dhe falënderoi mësuesit e tij.

 

“Gëzuar 7 marsin, Ditën e Mësuesit! Gëzuar këtë ditë nderimi të madh për çdo mësues, pedagog dhe profesor shqiptar, dhe shumë sukese në misionin fisnik të mëkimit të dijes, vlerave qytetare, atdhetare e patriotike! Një urim dhe një falenderim të veçantë kam sot për mësuesen time të parë Lenin, mësueset e mia tek “Kongresi i Lushnjës”, “Fan Noli” dhe “Sami Frashëri”, Kadrie Dibra, Kasiani Nikolla, Afërdita Saraçi, Dolorez Cipo, Mirjana Hoxhasi, Nafie Ciu, Ana Papa, Fatmira Kocani, Enis Terhati, Edmond Gega e shumë të tjerë, si dhe për të gjithë profesorët e pedagogët e mi të dashur të cilët i kujtoj me shumë respekt dhe nostalgji.”

 

 

Më tej, kreu i shtetit nuk ka pa përmendur edhe aksionin e tij kundër mazhorancës. Sipas Metës, ka edhe shumë intelektualë që janë bashkuar në pranverën kuqezi dhe për këtë arsye ai i falënderoi.

 

“Faleminderit edhe të gjithë mësuesve, pedagogëve e profesorëve të nderuar që së bashku me ajkën e elitës së intelektualëve shqiptarë janë vënë sot në ballë të PRANVERËS KUQEZI! Lavdi përjetë atyrë që dhanë jetën për gjuhën tonë të shenjtë!”

 

Postimin Ilir Meta e mbylli me një amanet të Petro Nini Luarasit.

 

“Të mos harrojmë kurrë amanetin e Petro Nini Luarasit: “Mblidheni gjakun tim që ta përdorin fëmijët për të shkruar shqip!””

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re