Drejtuesi kryesor i grupit ishte shtetasi Selaudin Shahini, i cili në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore kishte krijuar një rrjet personash që Trafikonin Mjete Motorike nga Kosova për në Shqipëri.

Këta persona ishin shtetasit:
Ndricim Shahini (kushëri i Selaudinit),
Ervis Cara, (kushëri i Ndricimit)
Aurel Shatri (shok i Ervisit)
Vojsava Doda (Punonjëse e Policisë – Lidhje e Selaudinit)
Endi Ahmetaj (Punonjës i Policisë – Lidhje e Selaudinit)
Fatri Braha (Punonjës i Policisë)

Shtetasi Ndricim Shahini me lidhjet e tij shoqërore në shtetin e Kosovës siguronte vjedhjen e automjeteve të markave të ndryshme në këtë shtet.

Më pas, personat më sipër, ofronin ndihmën në forma e metoda bashkëpunuese dhe bënin transportin e këtyre mjeteve nga shteti Kosovës per në Shqipëri nëpërmjet Pikës së kalimit Kufitar Morinë – Kukës.

Hetimet kanë nisur nga DVP Tiranë dhe janë kryer në bashkëpunim me AMP.

Njoftimi i Plotë:

Tiranë

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Nacional”.

Operacioni nga DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë.

Goditet një grup i strukturuar kriminal, vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës Policie.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP, DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– V. D., 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe E. A., 24 vjeç, punonjës policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– F. B., 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shtetasi S. Sh., i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.

Vijon puna në bashkëpunim me autoritetet Policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për veprime të mëtejshme procedurale.

/faxweb

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re