Emisioni ”BOOM” në ”Rtv Ora”, denoncoi dje një skandal që zë fill nga Spitali i Vlorës. Anila Zeqiri shtron në spital babain në datën 27 dhjetor 2020 dhe kur kanë kaluar me shumë se dy muaj ajo ende nuk di se ku ndodhet babai saj.

Kur vajza shkon në spitalin e Vlorës për të pyetur se ku ndodhet babai, nuk i jepet informacion.

Pas ndjekjes që emisioni BOOM i bëri këtij rasti familjarët mundën të tërheqin trupin e të ndjerit nga morgu 70 ditë pasi kishte ndërruar jetë.

Lidhur me këtë skandal ka reaguar ashpër edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila përmes nënkryetarit të saj, Petrit Vasili deklaroi se ne të gjithë jemi të shokuar pa përjashtim si qytetarë, jo vetëm për ngjarjen, por edhe për heshtjen e tmerrshme të Prokurorisë Shqiptare.

Deklarata për mediat e Nënkryetarit të LSI-së, Petrit Vasili

Të nderuar qytetarë dhe qytetare!

I gjithë opinioni publik që nga mbrëmë është shokuar, kur është informuar nga mediat shqiptare për një rast skandaloz, sesi një qytetar nga Vlora që ka humbur jetën në spitalet shqiptare, prej 70 ditësh ka qëndruar në morg, në frigoriferin e morgut, pa pasur asnjë njoftim familja e tij për vdekjen, e ku vetëm pas interesimit dhe bërjes mediatike të lajmit, më së fundmi familja ka mundur të marrë kufomën e të ndjerit, për të kryer ritin funebër normal.

Besoj që është një ngjarje e pa precedentë, provë e një çorganizimi skandaloz të shëndetësisë, i cili ka të bëjë që nga pika A e deri te pika ZH, vetëm e vetëm me strukturën organizative të shëndetësisë e të ministrisë që e udhëheq dhe që nuk ka lidhje fare të bëjë me pjesët e tjera. Të gjithë qytetarët duhet ta dinë që çdo i sëmurë, i cili shtrohet në një strukturë spitalore, merren të gjitha të dhënat e tij, gjeneralitetet, emër e mbiemër, si dhe adresa e tij. Gjithashtu edhe të tëra pikat e komunikimit të familjarëve që e shoqërojnë. Kjo është puna më normale. Çfarë ka ndodhur? Përpara kamerave pohohet që Spitali i Vlorës e ka çuar dy herë këtë qytetar në Tiranë, ndërkohë që në kartelë figuron që ky qytetar ka qëndruar vetëm 1 orë në Spitalin e Vlorës. E më tej nuk ka asnjë lajm të vetëm çfarë ka ndodhur me këtë qytetar, me këtë qenie njerëzore, i cili brenda rasteve ka qenë brenda strukturave zyrtare, shtetërore e spitalore.

Ky njeri ka humbur jetën, familja nuk njoftohet e në rast se nuk do të ishte ky interesim mediatik mund të qëndronte për javë e muaj të tëra, siç ka qëndruar mbi 2 muaj e ca në frigoriferin e morgut. Është një ngjarje kaq e dhimbshme, kaq tragjike, por edhe e turpshme sesi është organizuar ky shtet. Pasi ky shtet i cili kërkon e gjen edhe 14-15 vjeçarët në mes të natës që t’i arrestojë, nuk vë ujin në zjarr e nuk interesohet që të lajmërojë familjarët për një njeriun e dashur të tyre që ka humbur jetën. Të gjitha veprimet njëri pas tjetrit, duke filluar nga Spitali i Vlorës, në QSU në Tiranë, në qëndrimin në morg, janë njëri pas tjetrit prova të një çorganizimi të dënueshëm penalisht.

Ne të gjithë jemi të shokuar pa përjashtim si qytetarë, jo vetëm për ngjarjen, por edhe për heshtjen e tmerrshme të Prokurorisë Shqiptare. Të gjithë prisnin që brenda natës së brendshme, Prokuroria të kishte filluar veprimet paraprake, kryesisht për t’i dhënë një përgjigje të shpejtë e të menjëhershme këtij turpi, këtij skandali. Por nuk ka ndodhur asnjë nga këto. Nuk ka asnjë shpjegim shtetëror. Kryeministri, llafazani më i madh, matufi i këtij vendi, që u është kundërvënë mjekëve për çdo opinion të tyre, ju e dini, edhe i ka hequr nga puna, sot nuk flet. Askush nga struktura zyrtare e këtij shteti nuk flet, kjo i bën ata bashkëfajtorë. I bën ata përgjegjës për këtë ngjarje të shëmtuar, që nuk do të shuhet, do mbetet shumë gjatë në memorien e shqiptarëve. Nuk besoj se ka ndonjë shqiptar, pavarësisht përkatësive që mund të bëjë sikur nuk kupton një turp të skandaleve të tilla, një skandal të këtyre dimensioneve. 70 ditë një qytet që humb jetën, qëndron i harruar në morg, ndërkohë që më e pakta që duhet të bëhej ishte njoftimi i vdekjes së tij dhe kryerja e të gjitha riteve, ashtu sikurse është në detyrimet dhe ligjet e këtij vendi, por edhe ne zakonet, mënyrën e jetesës, ku vdekja është një moment shumë i dhimbshëm.

Por këtë qeveri nuk e shqetëson as vdekja, as njerëzit, e shqetëson vetëm show. Ju e keni parë, kryeministri vjen vërdallë nëpër të ashtuquajturat qendra vaksinimi, që bën llafe e propagandë, ndërkohë ky rast bubullon, buçet e tregon sesi përpara një pandemie të tillë, sepse dhe qytetari në fjalë ka vdekur si shkak i Covidit, është krejtësisht i pa organizuar, zero interes për njerëzit, mënyrën, organizimin. Sepse organizimi në pandemi është kryefjalë e çdo gjëje, por i intereson vetëm skenat, improvizimet skenike, propagandistike përpara njerëzve dhe aspak jetët e njerëzve. Prandaj të nderuar qytetarë, mbajeni mend gjatë, sesi makabriteti shtetëror i lë pas dore qytetarët dhe vetëm propaganda, shteti i propagandës iu intereson. Dhe në kohë pandemie u demonstrua qartë paaftësia totale, papërgjegjshmëria dhe paligjshmëria e të gjithë kësaj strukture shtetërore, të prirë nga ky kryeministër i cili ua them sërish ka polemizuar, u ka kthyer përgjigje, ka larguar nga puna mjekët, për një kundërshti, për një koment që kanë bërë në raport me punën e tyre, po nuk ka asnjë fjalë ç’të thotë për një turp të tillë. Në fund të fundit ne nuk presim asgjë nga ky kryeministër.

Shqiptarët nuk presin asgjë nga ky kryeministër. Por nga drejtësia presin shumë. Dhe ne të gjithë vazhdojmë të jemi të shokuar sesi kjo drejtësi që përpilon urdhra për arrestime për prishje shtëpish, për lloj lloj palaçollëqesh, nuk ka lëvizur gishtin, nuk ka komunikuar asnjë gjë, nuk ka gjë prej gjëje për një rast të tillë makabër. Drejtësia dhe Prokuroria është përballë provës së saj shumë të fortë e të pakalueshme. Do të vendoset në krah të ligjit e të qytetarëve apo do vazhdojë të jetë një zgjatim, një zorrë qorre e qeverisë së Rilindjes.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re