Një 70 vjeçare në qytetin e Korçës ka dalë pozitive me COVID-19, pas kryerjes se analizave në Institutin e Shëndetit Publik në Tiranë. Kjo e çon në 13 numrin e të infektuarve me koronavirus në qytetin juglindor.

 

Burimet zyrtare thanë se ende nuk dihet se nga mund ta ketë marrë e moshuara virusin e rrezikshëm, pasi ajo mendohet se nuk ka asnjë lidhje me 12 pozitivët e tjerë. 70 vjecarja, banore në qytetin e Korçës, jeton së bashku me bashkëshortin, i cili në një test të mëparshëm të kryer ka dalë negativ ndaj COVID-19, por pas shfaqjes së simptomave dhe rëndimit të gjendjes, ai është çuar një nate më parë me urgjenceë drejt Spitalit Infektiv, aty ku mjekët janë në pritje të ripërsëritjes së tamponit.

 

Mësohet gjithashtu se analiza do të kryhet edhe për djalin e dy të moshuarve i cili jeton së bashku me ta, pasi konsiderohet kontakt i afërt. Djali rreth të 50-ave, ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe deri më tani nuk ka shfaqur asnjë simptomë. Gjatë 24 orëve të fundit janë dërguar në total 4 tampona nga Korça, nga të cilët vetëm një ka rezultuar pozitiv, pra ai i të moshuarës 70 vjeçare.

 

Ndërkohë dy tampona të tjerë janë dërguar nga qyteti i Pogradecit, të cilat i përkisnin dy vajzave të reja, por fatmirësisht të dyja kanë rezultuar negative. Deri më sot të 13-të rastet pozitive COVID-19 janë qytetarë nga Korça, ndërsa të gjitha qytetet e tjera të qarkut juglindor kanë mbetur ende të paprekura zyrtarisht nga infeksioni.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re