Çdo person që ka një anije peshkimi si dhe kompanitë në këtë sektor kanë mundësi që gjatë muajit qershor të aplikojnë për të përfituar fonde për të zhvilluar më tej aktivitetin.

 

Mbështetja nis minimalisht me 2500 euro për subjekt deri në 60 mijë euro për kompani. Ministrja e Bujqësisë Frida Krifca njoftoi se sektori i peshkimit do të përfitojë nga fondet e Bashkimit Europian, IPA 2016.

 

“Skema ka ofruar në fazën e parë dhe të dytë grante në masën e rreth 700 mijë Euro dhe me këtë fazë të tretë do të ndihmojë investimet e peshkatarëve edhe me 720 mijë Euro të tjera” – tha ministrja Frida Krifca.

 

Me anë të grandeve specifike, projekti në mbështetje të peshkimit do të ndihmojë sektorin të realizojë investime për lundrimin dhe sigurinë, dhomat frigoriferike, rrjetat e peshkimit, etj.

 

“Me anë të kësaj mbështetje financiare të mundësojmë rritjen e sigurisë së peshkatarëve në bordin e anijeve të peshkimit gjatë lundrimit, përmirësimin e performancës ekonomike të ndërmarrjeve të peshkimit duke miratuar masa që synojnë kursimin e energjisë, si dhe zvogëlimin i ndikimeve negative në mjedis lidhur me ndotjen e ujit dhe mbrojtjen e stokut” – shtoi Krifca.

 

Sipas kritereve të përcaktuara, individët apo kompanitë kanë të drejtë për aplikojnë më shumë se një herë, në varësi të nevojave.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re