Ka kaluar tashmë një gjysëm shekulli që kjo grua punon si orëndreqëse.

Është e vetmja grua në Vlorë, e cila rregullon orët. Zanatin e ka mësuar nga më të mirët e kohës, duke ndjekur kurse e duke përvetësuar të gjitha kategoritë e orëve.

Sot është 73 vjeçe dhe pavarësisht moshës, Liljana nuk preferon të dalë në pension. Ende punon si orëndreqëse në dyqanin e saj, hapur afro 30 vite më parë.

“Paradite punoj nja 4 orë, pasdite punoj prapë 3 orë. 7 orë në ditë vij në punë. Sytë i kam të fortë, bëj orë mekanike. Bëra kurs dy vjet dhe pastaj hodha kategorinë, mora të parën, pas 4 vjetësh mora kategorinë e dytë. Kam vazhduar njëherë në 4 vjet merrja kategoritë, deri në vitin 1991 që kaluam privat. Kam vazhduar dhe nuk e kam lënë punën asnjëherë”, tregoi Liljana në intervistë për median.

Përveçse dashurisë e pasionit për punën, 73 vjeçarja i ka ruajtur me fanatizëm dhe veglat e vjetra të punës.

“Të asaj kohe janë që nga lentja, dhe çelsi që hapa shagaji, që kur ishim të lidhur me kinën, kalibri i Korçës. Këto janë të gjitha veglat e para, të rralla janë ato vegla që kam marrë tani”, tregoi orëndreqësja.

Kur e pyet nëse do ta trashëgojë zanatin e saj, ajo shprehet disi e mërzitur. Orëndreqësi si profesion në Shqipëri është drejt zhdukjes.

“Jemi drejt falimentimit. Janë 3 orëndreqësa që kanë ngelur tek xhamia, një është në Skelë, 4 dhe unë pesë. Atëherë kishin dhe fshatrat, ishte Dhori Manua në Novoselë, ishte Ylli Deraj në Selenicë. Kishte interesim kurse tani s’ka më në qytet jo më në fshat. Këtë që sheh nëpër rrugë janë të rinj vetëm orët me bateri bëjnë, ato mekanike nuk I bëjnë ju thonë s’kemi vaj. S’dinë ti bëjnë. Ato me bateri sa do zgjasin. Klienti ka nevojë dhe për orë mekanike se e blejnë të shtrenjtë dhe duhet riparuar”

“Të rinjtë nuk duan e kanë mendjen vetëm për makina dhe të dalin. Ne u mësuam me punë dhe fillonim që 17 vjec-18 vjeç. Tani njerëzit janë bërë dembela. Femrat e kanë mendje tek parukeria cunat kam 53 vjet që punoj nuk pashë ndonjë prind që të thonë kemi dëshirë që vajza ose cunin të mësojë këtë zanat. Është dhe inisiativa e prindërve”.-tha 73 vjeçarja.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re