Presidenti i Republikës, Ilir Meta bëri homazhe në Varrezat e Dëshmorëve të Atdheut me rastin e 75-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë nga pushtuesit nazi-fashistë dhe vendosi një kurorë me lule te Monumenti “Nënë Shqipëri”, duke u përulur me respekt para kujtimit të tyre.

 

Në një prononcim për mediat, Meta shprehu mirënjohje për të gjithë dëshmorët që dhanë jetën për Atdhe, ndërsa nuk mënjanoi situatën e vështirë me të cilën po përballet vendi pas tërmetit të datës 26 nëntor.

 

“Në radhë të parë dua të shpreh sot mirënjohjen më të thellë për të gjithë ata që dhanë jetën për Çlirimin e Atdheut, që kurorëzuan 75 vite më parë një nga betejat më të mëdha të popullit shqiptar kundër pushtimit nazi-fashist, që rivendosi sovranitetin e vendit, riktheu pavarësinë e Shqipërisë. Por njëkohësisht edhe e vendosi popullin dhe vendin tonë në anën e duhur të historisë dhe të antifashizmit me mjaft sukses. Do të donim sot ta festonim me të gjithë madhështinë që i takon këtij 75-vjetori, por kjo fatkeqësi e jashtëzakonshme me të cilën u përball vendi ynë na ka vendosur para një sprove që duhet ta kalojmë të bashkuar, duke pasur në krah miq dhe partnerë, të cilët nuk kanë munguar të na ndihmojnë që në momentet e para. Padyshim Kosova ka shkëlqyer me gatishmërinë e saj. Do t’ia dalim pavarësisht nga kostot, të cilat janë të mëdha.”

 

I pyetur në lidhje me statistikat, Meta u shpreh I bindur se shumë shpejt do të ketë një bilanc përfundimtar në lidhje me këtë ngajrje.

 

“Besoj se ju i keni ndjekur edhe statistikat zyrtare. Shpresojmë që sot të përfundojnë totalisht operacionet për kërkim-shpëtimin e qytetarëve që mund të kenë mbetur ende nën rrënoja. Shpresojmë se është çështje orësh që të kemi një bilanc përfundimtar zyrtar, ndërkohë që përveç nderimit të viktimave shumë sfida të tjera na presin përpara, të cilat janë të mëdha dhe do të jenë edhe pak afatgjata.”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re