Ministria e Bujqësise do te hapë aplikimet për përfitimet financiare të fermerëve nga skema mbështetëse e buxhetit të shtetit. Aplikimet ishin parashikuar të nisnin në muajn mars por u shtynë për shkak të pandemisë.
Sipas të dhënave për vitin 2020 janë parashikuar 750 mln lekë ndërsa pritshmëritë janë të përfitojnë rreth 4 mijë fermerë.
“Brenda një muaji ne do të hapim aplikimet për skemën e mbështetjes nga buxheti i shtetit. Rreth 70% të këtyre parave do t’ia kushtojmë blegtorisë si sektori më delikat dhe me më tepër probleme. Sivjet ne do të paguajmë vetëm për tufën bazë, për çdo krerë të matrikulluar. Paratë do të shkojnë direkt tek fermeri”, tha ministri Çuçi.
Ministri ishte në Balldren të Lezhës, në një nga komplekset më të mëdha blegtorale.
Sipas ministrit ky sektor do të ketë vëmëndje më të shtuar për financim.
Subvencionet do të jepen për tufën bazë, për krerët e lopëve dhe të imtave të matrikulluara. Masat e ndihmës përmes Skemës Kombëtare janë mbështetësve me programin IPARD dhe nuk krijojnë mbivendosje me të.