Tirana përkujtoi sot 78-vjetorin e Konferencës së Pezës, një prej ngjarjeve më të rëndësishme për bashkimin e shqiptarëve kundër pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në respekt të protokollit të higjienës për shkak të pandemisë, një përfaqësi e reduktuar e shoqatave të veteranëve, familjeve të dëshmorëve, ministra, deputetë e drejtues të pushtetit vendor, nderuan veprën dhe sakrificën e të gjithë atyre që rrokën armët për çlirimin e vendit.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se mesazhi që përcjell Konferenca e Pezës është aktual edhe sot. Ai theksoi se përtej partive dhe bindjeve, janëShqipëria dhe Tirana. “Dua t’ju uroj të gjithëve gëzuar festën e Pezës, një ditë ku ne përkujtojmë të gjithë patriotët që u mblodhën këtu – njerëz pa dallim feje, krahine dhe ideje – për t’u bashkuar kundër pushtuesit. Ky është mesazhi për të cilin kemi nevojë edhe sot, se përtej partive dhe bindjeve tona, është Shqipëria, është Tirana”, tha ai.

Veliaj shtoi se Partia Socialiste do të qëndrojë gjithmonë në krah të Luftës Antifashiste Nacional Çlirimtare të familjeve të dëshmorëve. “Me ose pa pandemi, me ose pa tërmet, nuk mund të harrojmë nga kemi ardhur. Në emër të Partisë Socialiste të Tiranës, të të gjithë përfaqësuesve tanë, jam këtu si shprehje e vullnetit tonë për të qëndruar gjithmonë krah antifashizmit, krah familjeve që dhanë më të mirën. Partia Socialiste është parti e dëshmorëve, e veteranëve, e familjeve patriotike dhe sa të jetë jeta, do ta kujtojmë kontributin e tyre. Qoftë një ditë e bekuar, siç ka qenë gjithmonë, dhe qoftë një ditë që na frymëzon për më shumë bashkëpunim, për më shumë punë dhe përpjekje për ta bërë Shqipërinë zonjë”, u shpreh ai.

Veliaj theksoi se mesazhi i Pezës është se vetëm kur jemi të bashkuar, mund të ecim përpara. “Fryma e përçarjes, e stërkëmbëshave, e shpifjes, e intrigës, nuk ndihmon. Ajo që ndihmon është bashkimi, bashkëpunimi, solidariteti. Sot, ndoshta nuk i kemi sfidat me pushkë në dorë, por për të luftuar pandeminë dhe pasojat e tërmetit mund t’i bëjmë vetëm me punë, vetëm bashkë. Do të doja shumë që, pas gjithë këtyre viteve, Konferenca e Pezës të përshëndetej edhe nga forca të tjera politike, të cilat me sa duket ende duhet ta kuptojnë mësimin e Babë Myslymit,se vetëm kur jemi të bashkuar mund të ecim përpara, kurse fryma e përçarjes vetëm e saboton vendin”, deklaroi ai.

Kryetari i Shoqatës së Veteranëve, Rustem Peçi, theksoi se mesazhi që jep Konferenca e Pezës është ai i unitetit për të mirën e Shqipërisë. “Të jemi të bashkuar, ky është mesazhi që jep Konferenca e Pezës; ta bëjmë Shqipërinë, siç kemi luftuar në këto 8 vite. Të rrojë populli heroik i Pezës dhe i Shqipërisë, lavdi dëshmorëve, heronjve”, tha ai.

Gjatë ceremonisë, u vendosën kurora me lule në monumentin dhe varrezat e dëshmorëve në Pezë.

/faxweb