Aurela Basha (Isufi), bashkëshortja holandeze e kryeministrit në tentativë Lulzim Basha, në një reagim të saj publik ka treguar të gjitha fitoret e burrit të saj që ajo nuk e ka votuar dot kurrë.

Le të shohim të gjitha fitoret e Lulit të Aurelës, pikërisht sipas rasteve që ajo ka shkruar, por edhe ato që me qëllim ka anashkaluar. Zonja shkruan se Basha ka mundur Ben Ahmetajn në 2005, në fakt në ato zgjedhje fitoi Sali Berisha dhe jo Luli, sepse ishte koalicioni, fryma, programi elektoral që sollën PD në pushtet. Por le ta lemë se e fitoi Luli dhe të shohim më tej.

Basha ishte pas kësaj gare kandidati kryesor për bashkinë e Tiranës dhe u shmang. Nuk ka pranuar kandidimin, pa folur për historitë politike të skandaleve me rrugën e kombit. Pra në vitin 2007 iku nga gara që ishte e tija. Aurela këtë fakt s’e përmend, por kapërcen direkt në vitin 2009, duke harruar edhe fushatën e zgjedhjeve lokale në Elbasan.

Po në 2007, drejtoi fushatën e zgjedhjeve lokale në Elbasan dhe humbi, megjithëse nuk garonte ai, por Luçiano Boçi.

Shkojmë në zgjedhjet e vitit 2009, për Elbasanin që zonja pretendon se Lulzim Basha e ka fituar. Sipas të gjitha statistikave zyrtare, por edhe shifrave që mund t’i gjejë Luli tek Berti i organizimit, rezultati i zgjedhjeve në Elbasan është trishtues. PS ka 48% të votave, PD ka 45% të votave dhe LSI 5%. Një mandat është një barazim që tenton të shpallet fitore, në shifra është humbje me gati 3%. Basha nuk shkoi përtej 7 mandateve me një super listë kandidatësh ku mesa duket Valentina Leskaj e PS në Elbasan, pas një super qeverisje të PD mandatin e parë, kishte më shumë reputacion sesa Luli i Aurelës. Pra në Elbasan u shënua një tjetër humbje.

Shkojmë më tej në zgjedhjet e 2011.

U angazhua i gjithë shteti, çdo ministër mori nga një njësi apo mini-bashki siç quheshin më parë. Avionët sollën zgjedhës nga e gjithë Europa, nga Greqia autobuzët nuk u ndalën. Të gjithë në këmbë për fitoren e Lulit, që në fakt ishte e Sali Berishës, pasi bashkëshorti i Aurelës humbi me 11 vota, megjithëse Edi Rama kandidonte për herë të 4-ët në Tiranë, prej 6 vitesh ishte kryetar i PS. Kujtojmë hapjen e kutive nga Arben Ristani, për rinumërim, që solli fitoren e Lulit me 86 vota.

Një meritë të madhe në këtë “fitore” ka dhe i ndjeri Hysni Milloshi që mori 1394 vota komunistësh.
Të tjera fakte janë koalicioni me LSI i cili në ato zgjedhje ishte deçiziv për fitoren e Lulit, pra ato vota më shumë që pretendon Aurela, janë votat e LSI-së dhe jo të Lulit.

Pra, në 2011, realisht ka fituar Ilir Meta dhe Sali Berisha, Luli ishte thjesht aktor në filmin e radhës, ku regjisori dhe skenaristi kishin kalkuluar gjithçka deri në detaj. Pastaj Aurela harron disa palë zgjedhje e kërcen tek dekriminalizimi në 2016. Por edhe kjo s’ka qenë betejë e tij, por e filluar nga zonja Topalli. Kujtojmë përplasjen me Mark Frrokun, dhe disa fjalime të saj në parlament, kur Luli nuk ishte fare. Pra s’ka qenë fitore e Lulit, megjithse ai mund të shpallë si fitore të tijën edhe zgjedhjet e vitit 1992.

Le të shohim betejat që “harron” Aurela.

Në vitin 2013 Basha ishte kryebashkiak dhe drejtuesi i fushatës të PD në Tiranë. Rezultati ishte katastrofik. Më i dobti dhe i turpshmi në 22 vite ekzistencë të PD. Aurela dhe Luli vetë ndoshta e kanë shijuar këtë humbje, që më pas solli Bashën në krye të PD. Humbi!

Në 22 korrik 2014 u zgjodh nga Sali Berisha kryetar i PD në një garë të manipuluar kur lideri historik mori anë dhe të gjithë panë një palë zgjedhje ku fletët e votimit ishin me numër serie, humbi me të ndjerin Sokol Olldashi, jo vetëm moralisht. Koha i ka sqaruar të gjitha. Humbi!
Më pas vijnë zgjedhjet lokale të 2015, PD merr një rezultat katastrofë, më keq se kurrë. Por të gjithë mendonin se do fillonte ringritja pas këtyre zgjedhjeve dhe ende shpresohej tek Luli. Humbi!

Shkojmë tek zgjedhjet e vitit 2017.

Historitë që filluan tek çadra u mbyllën me marrëveshjen e famshme të 17 Majit, ku PD humbi zgjedhjet, babai i Aurelës dhe ortakët e tij fituan 16 milionë euro për një pallat ndërtuar brenda në det të cilit i ishte gjetur edhe pronar trualli. Zgjedhjet ishin sërish katastrofë elektorale, rezultati edhe më i keq se në 1997. Justifikime të shumta, u gjet si argument blerja e votës në Dibër, ku në fakt kishte pasur zgjedhje lokale jo parlamentare. Kishin ndodhur më pare, por Luli i përdori si justifikim për humbjen e 2017.

Kishte edhe më keq se 2013 dhe 2015.

Basha nuk mendoi për ringritjen e PD, por për karrigen e tij. U rizgjodh kryetar i PD i ngrirë, në një garë totalisht qesharake ku me video dhe figurë u tregua anë e mbanë Shqipërisë si mbusheshin kutitë e votimit, megjithëse kundërshtari ishte fasadë. Vijmë tek djegia e mandateve pikërisht në 16 shkurt 2019. Skandali më i madh politik dhe dështimi i tij personal, që solli bojkotin e zgjedhjeve lokale. Ndoshta për Aurelën ato zgjedhje ishin fitore për Lulin, që në fakt vetëm humbi.

Pra Lulzim Basha, që ta mësojë Aurela dhe çdo demokrat i ndershëm që pranon të vërtetat, ka fituar vetëm në 2005 dhe me të shtyrë në 2011, në të dy rastet i suportuar nga Sali Berisha dhe Ilir Meta. Sa për dekriminalizimin, ajo fitore i përket tjetër kujt.

Ka humbur në 2007, ka humbur në 2009, ka humbur në 2013, ka humbur në 2015, ka humbur në 2017, ka humbur në 2019 dhe ka 2 humbje të tjera të mëdha, djegia e mandateve dhe largimi nga reforma administrative.

Janë 8 humbje direkte të Lulzim Bashës, të paktën ka dhe shumë të tjera si Unaza, Rruga e Kombit, Rama që ka ikur një vit më parë, shkrirja e partisë të maskarenjve, etj etj. 

Ka bërë opozitën me të gjithë kundër, thotë Aurela. Sërish gënjen publikisht në mënyrë të turpshme. Si ka pasur të gjithë kundër sepse ka 4 vite me koalicionin më të madh opozitar. Ka në krah edhe aleatin që e solli në pushtet Edi Ramën, partinë e Ilir Metës, LSI. Nuk i ka pasur të gjithë kundër sepse ai qeverisi gati 6 muaj në koalicion me Edi Ramën, ka pasur dhe ka marrveshje me të, por jo që ta marrë pushtetin në tavolinë si e do Luli. Basha kundër ka vetëm veten e tij, delirancën, paaftësinë epike dhe injorancën politike.

Për t’i mbyllur të gjitha këto fakte dhe detaje të 8 humbjeve të Bashës dhe dy fitoreve të tij me të shtyrë, ka vetëm një fitore që zonja Aurela nuk e thotë, paratë dhe vilat e shtuara të Lulit, kunatit dhe vjehrrit. E në rast se ka një fitore spektakolare të Lulzimit janë vetëm këto, se demokratët vetëm kanë humbur e janë varfëruar.

Kjo është e vërteta, jo vetëm për Aurelën, por për këdo që do të kuptojë se Lulzim Basha shpall humbjet, fitore. Jo vetëm vetë, por tani ka nxjerrë dhe gruan. Fatkeqësisht me këtë lloj sjellje politike dhe propagandë bajate, edhe 25 prilli do jetë “fitorja” e nëntë e Lulit njësoj si këto tetë të mësipërmet.(cna)

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re