Me rastin e 8 marsit, Ilir Meta thotë se Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt.

Kreu i shtetit thotë se gratë duhet të kenë jetë publike dhe profesionale të barabartë me burrat dhe se ato nuk duhet të keqpërdoren nga politika.

Postimi i plotë:

Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN!

Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t’ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e vendit.

Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.

Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika.

Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes.

Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Një falenderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars PRANVERËS KUQEZI, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit.

Bekuar qofshin vajzat e gratë shqiptare kudo në botë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re