Duke marrë shkasë nga 8 Marsi, dita ndërkombëtare e grave, Presidenti i Republikës, Ilir Meta thotë se Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt.

Kreu i shtetit thotë se gratë duhet të kenë jetë publike dhe profesionale të barabartë dhe se ato nuk duhet të keqpërdoren nga politika.

Presidenti Meta falënderoi gratë dhe vajzat që morën pjesë në Pranverës Kuqezi, “duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit”.

Postimi i plotë:

Një urim të përzemërt për më të shtrenjtat, më të dashurat dhe të pazëvendësueshmet e familjeve tona, për çdo nënë, grua, vajzë e motër shqiptare: GËZUAR 8 MARSIN!

Sot është vetëm një ditë simbolike, por e gjithë jeta e marrë së bashku nuk do mjaftonte për t’ju shprehur me përulje mirënjohjen më të pakufishme për dashurinë, përkushtimin dhe sakrificat e jashtëzakonshme për familjen e ngrohtë, shoqërinë e zhvilluar dhe begatinë e vendit.

Fuqizimi i vajzave dhe grave i bën sfidat më lehta! Por ne ende kemi një hendek të rëndësishëm për të kapërcyer për t’i vënë përgjithmonë në histori vargjet e Çajupit, i cili protestonte ndaj burrave.

Shqipëria do të bëhet një vend edhe më i bukur, vetëm me vajza e gra të lumtura e të realizuara në çdo aspekt, të barabarta me burrin si në jetën publike ashtu edhe atë profesionale, dhe që nuk keqpërdoren nga politika.

Duhet të çlirojmë potencialet e vërteta dhe të plota të vajzave dhe grave të Shqipërisë, që të ndalim shpopullimin e Atdheut dhe degradimin e familjes.

Lidershipi i tyre do të ndihmojë që Shqipëria të bëhet e shkëlqyeshme dhe frymëzuese për fëmijët dhe të rinjtë tanë.

Një falenderim të veçantë kam sot edhe për dhjetëra mijëra nëna, gra dhe të reja, të cilat ju bashkuan më 2 mars PRANVERËS KUQEZI, duke i dhënë me energjinë dhe vitalitetin e tyre më shumë forcë zërit të sovranit.

Bekuar qofshin vajzat e gratë shqiptare kudo në botë!

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re