Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës, Erion Veliaj, bashkë me deputetin e PS, Ornaldo Rakipi dhe kryebashkiakun Blerim Shehu, shtruan një drekë festive me gratë dhe vajzat e Bashkisë Vorë.

Teksa i uroi për 8 Marsin, Veliaj i falënderoi për kontributin e tyre në përballimin e shumë sfidave si pandemia dhe tërmeti. “Duke qenë shumë i ndërgjegjshëm që në të gjithë këto vështirësi që kemi kaluar, siç ka qenë tërmeti, siç ka qenë pandemia, siç kanë qenë gjithë punët edhe vështirësitë që kemi hasur në Vorë, gratë dhe zonjushat e Vorës, kanë qenë në ballë të këtyre punëve dhe i kanë përballuar këto sfida si mos më mirë, duke merituar gjithë respektin edhe gjithë mirënjohjen tonë”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se Vora po kalon ditët më të mira në 30 vitet e fundit dhe ka të gjithë arsyet për të vijuar progresin. “Këto janë ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë Vora. Me Blerim Shehun kryetar bashkie, janë ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë Vora. Me Ornaldon si deputet, janë ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë Vora. Me vajzat tona të mrekullueshme që drejtojnë edhe partinë, edhe forumin, këto janë ditët më të mira që ka pasur ndonjëherë Vora. Nuk po them kurrë që gjërat janë perfekt, por nëse me këtë frymë, ne kemi mbërritur në këtë situatë sot, me këtë skuadër sot, në ditët tona më të mira në 30 vitet e fundit, atëherë kemi gjithë motivin, gjithë arsyet dhe gjithë argumentin që ne të vazhdojmë përpara”, deklaroi Veliaj.

Ai kërkoi mbështetjen e grave dhe vajzave të Vorës për ta nxjerrë PS fituese sërish në zgjedhjet e 14 majit. “Dua t’ju kërkoj një ndihmë, një mbështetje, që për vëllain tim Blerim Shehun, si një mision për të vazhduar rrugën e mbarë dhe punët e mrekullueshme që kanë nisur në Vorë dhe për ta nxjerrë fitues akoma edhe më shumë në datën 14 maj, me gjithë mbështetjen e nënave dhe të motrave të Vorës”, deklaroi Veliaj.

Drejtuesi politik i PS-së për Qarkun e Tiranës u shpreh se zgjedhjet e 14 majit kanë një rëndësi të veçantë për t’u siguruar që Vora nuk eshte një transit, por një epiqendër e punësimit dhe rindërtimit. “Këto 60 ditë duhet të takojmë të gjithë njerëzit e mundshëm. Nuk ka rëndësi bindjet politike, këtu nuk bëhet fjalë për të tundur flamurin e partive, këtu bëhet fjalë për të bërë shkollat deri në fund, këtu bëhet fjalë për të mbaruar apartamentet deri në fund, këtu bëhet fjalë për t’u siguruar që Vora nuk është më vetëm një transit i atyre që shkojnë nga hotelet e Tiranës, te Gjiri i Lalzit. Por, Vora të kthehet në epiqendër të punësimit, të rindërtimit, edhe të suksesit për çunat edhe për gocat e Vorës”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Ornaldo Rakipi u shpreh se pjesëmarrja e grave në gjithë institucionet publike ka arritur në 50 përqind. Ndërkaq, Kryetari i Bashkisë së Vorës, Blerim Shehu u shpreh se ky 8 Mars, duhet të shërbejë edhe si një ditë reflektimi për të vazhduar punët e mira.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re