Prej 8 vitesh Thair Abud udhëton nëpër botë. Ndryshe nga shumëkush, ai ka vendosur që të ecë në këmbë. Deri më sot ka përshkruar 39 mijë e 500 kilometra, rrugëtime që i ka kryer nëpër botë. Abud është shtetas irakeno-gjerman dhe një besimtar musliman. Ideja e rrugëtimit nëpër botë, nisi në një kohë të vështirë për të, kur e motra u prek nga një sëmundje e rëndë.

Abud së fundmi ndodhet në Shkodër, teksa nga atje ka rrëfyer për Top Channel, historinë e tij të pazakontë.

“Gjithçka nisi nga gjendja shume e rëndë e motrës sime me kancer në gji, e cila ishte e  fiksuar se do vdiste. Unë i thashë se nuk është sëmundja që të vret, por mendimet tua negative, prandaj vendosa të bëj diçka ndryshe për t’i tërhequr vëmendjen. U nisa në këmbë fillimisht drejt Spanjës. Nuk e kisha bërë kurrë këtë gjë. Ajo me telefononte e shqetësuar për te me pyetur se ku jam, ndërsa unë i tregoja se çfarë bëra ditën e parë, të dytën e me radhë. Në fillim nuk i bëri përshtypje, por pastaj ajo mezi priste të flisnim dhe t’i tregoja se si është bota, takimet me njerëzit dhe historitë. Ajo filloi të ndryshonte. Nuk mendonte më për sëmundjen pavarësisht dhimbjeve por për mua dhe rrëfimet e mia. Madje, gjatë kimioterapisë ajo bleu një hartë dhe më ndiqte mua se ku shkoja. Pasi mbërrita në Spanjë i bëra një lutje Zotit, nëse më shëron motrën unë do të udhëtoj në këmbë deri në Mekë.” – tha turisti Thair Abud

Fatmirësisht sot motra e udhëtarit është shëruar, ndërsa Abud vetë, ka lënë punën e tij  si inxhinier ndërtimi në Dubai, për të ecur sërish në këmbë.

 “Pasi shkova në Mekë dhe plotësova detyrimin tim dhe falenderimin ndaj Zotit që më shpëtoi motrën, tani jam nisur drejt  Afrikës së Jugut në këmbë,  me një mision tjetër, për të mbledhur sa me shume donacione për fëmijët e sëmurë më kancer. Çdo vit, arrij të siguroj mbi 20 mije euro. Kështu kam kuptuar se sa e bukur është bota. Kjo me ka ndryshuar jetën.” tha Abud, ndërsa shtoi se kjo është hera e dytë që kthehet në Shqipëri (Shkodër).

“(Shkodra) Ka një shpirt, e dua këtë qytet por nuk e di pse. Nuk është qytet i ndërtuar mire, nuk ka luks por ka një shpirt pozitiv me dhuron gjithcka. Nuk me ka ndodhur në asnjë prej 25 shteteve që kam udhëtuar prandaj rrugëtimin drejt Afrikes, vendosa ta bej përmes Shkodrës.  Liqeni është magjik.” -përfundoi udhëtari.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re