Skip to content

85-vjeçari shqiptar humb jetën në avion/ Arrest kardiak gjatë uljes në Bolonjë

bolonja

Një shtetas shqiptar, 85 vjeç, ka humbur jetën mbrëmjen e kaluar në aeroportin “Marconi” të Bolonjës, pasi pësoi një problem të rëndë shëndetësor gjatë fazës së uljes së një avioni të kompanisë “Ryanair”, që u nis nga Tirana.

Sipas informacioneve paraprake, i moshuari udhëtonte së bashku me disa familjarë dhe kishte probleme të mëparshme serioze shëndetësore. Gjatë zbritjes së avionit, ai kishte kërkuar asistencë mjekësore për shkak të përkeqësimit të gjendjes së tij.

Në momentin e uljes, 85-vjeçari dyshohet se pësoi një arrest kardiak. Ekipet e urgjencës 118, të cilat ishin njoftuar paraprakisht për situatën, ndërhynë menjëherë pas mbërritjes së avionit, por pavarësisht përpjekjeve, i moshuari nuk mundi të shpëtonte.

Në aeroport mbërriti gjithashtu Policia e Shtetit, e cila kreu ndërhyrjet e nevojshme procedurale.

Ngjarja ndodhi pak pas mesnatës në aeroportin “Marconi” të Bolonjës. Autoritetet italiane vijojnë verifikimet për rrethanat e sakta të vdekjes.