Një grup arkeologësh nga Emiratet e Bashkuara Arabe (UAE) kanë zbuluar së fundmi ndërtesën më të vjetër të shtetit atje, e cila daton të jetë të paktën 8500 vjeçare.

Zbulimi është bërë në një ishull në perëndim të Abu Dhabi-t, i quajtur Ghagha. Strukturat e gërmuara nga arkeologët janë dhoma “të thjeshta rrumbullake” të bëra me gurë dhe që kanë një lartësi prej afro 1 metri.

Ekipi që bëri zbulimin deklaroi se me gjasë “shtëpitë kanë qenë të një komuniteti të vogël që jetonte në ishull”.

Studiuesit argumentuan se zbulimi tregon ekzistencën e ngulimeve neolitike shumë kohë para krijimit e zhvillimit të rrugëve tregtare, duke sugjeruar se këto të fundit nuk ishin “kushti pa të cilin” s’mund të kishte organizim e një jetesë të vendosur në ishull, siç mendohej më parë.

Mes godinave u gjetën qindra artifakte, përfshi këtu edhe shigjeta me maja guri të cilat përdoreshin për gjueti. Studiuesit nuk janë ende të sigurt nëse këto godina kanë qenë të banuara, pasi një skelet u gjet i varrosur në njërën prej tyre dhe datonte të ishte 5 mijë vjeçar.

Ekipi i studiuesve që kreu punimet argumentoi se kjo gjetje sugjeron se ishujt në Abu Dhabi (Emitaret) kanë qenë një vend pjellor, ndryshe nga çfarë mendohej më parë.

Burimi: CNN/ Përshtati me disa shkurtime: Shqiptarët për Shqiptarët.info

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re