Pandemia ka lënë të papunë 87 mijë persona. Kjo shifër është bërë e ditur nga ministrja Anila Denaj.

Por pavarësisht këtyre shifrave ministrja e Financave theksoi se ekonomia shqiptare tashmë ka hyrë në rrugën e ringritjes. Sipas Denaj, tashmë janë rikthyer në punë 3 mijë persona të larguar gjatë pandemisë.

Pavarësisht pozitivitetit të ministres së Financave biznesi ankohet se janë në vështirësi serioze.

Arben Shkodra, përfaqësues i Shoqatës së Prodhuesve Shqiptarë thekson se bizneset aktualisht kanë hyrë në një fazë më të rrezikshme që i paraprijnë falimentit.

“Në këtë fazë të rikthimit të dytë pas pushimeve, e cila do të jetë faza më problematike mund të kemi padyshim mbyllje të bizneseve, apo pezullim të aktiviteteve sepse kanë qëndruar deri tani, por që nuk kanë parë asnjë ndihmë nga shteti”, u shpreh ai.

Ministrja Denaj ka premtuar se qeveria do të zbatojë disa skema për nxitjen e punësimit gjatë kësaj periudhe.

Por Biznesi thekson se qeveria nuk mund të miratojë skema pa u konsultuar më parë.

Shkodra thotë se duhet më shumë lehtësi fiskale, ndërsa ngre si shqetësim edhe mungesën e likuiditetit.

“Duhet një plan konkret për nxitjen e punësimit, jo thjesht programe një apo dy mujore. Ne kemi nevoje që të zgjidhim çështjet e likuiditetit, bankat nuk i qasin me shumë dëshirë sipërmarrjet”, tha Shkodra.

Taksa progresive pritet të jetë një ndër pikat kryesore të debatit ekonomik midis opozitës dhe qeverisë.

Ministrja e Financave deklaroi se llogaria e PD –së sipas së cilës qytetarët shqiptare mund të përfitojnë më shumë nga taksa e sheshtë është e pasaktë./ABC News/

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re