Çdo prind dëshiron më të mirën për foshnjën e tij – dhe në mënyrë të natyrshme përpiqet t’i ofrojë një fillim sa më të shëndetshëm në jetë, që të shërbejë si themel për mirëqenie dhe zhvillim afatgjatë.
Me rastin e Ditës Botërore të Shëndetit, më 7 prill, fushata me temë “Fillime të Shëndetshme, të Ardhme me Shpresë” thekson rëndësinë jetike të shëndetit të nënës dhe të foshnjës.

Pip Davies, themeluese e podcast-it Midwife Pip, shprehet:
“T’u ofrosh foshnjave një fillim të mirë në jetë është vendimtar për shëndetin, zhvillimin dhe mirëqenien e tyre në të ardhmen.
Nuk ka një mënyrë të vetme që funksionon për të gjithë – çdo familje gjen ritmin dhe mënyrën që i përshtatet. Por janë pikërisht veprimet e vogla të përditshme që bëjnë diferencën.”

Ndërkohë, Katherine Walker, menaxhere për zhvillimin e shërbimeve në NCT – organizatë bamirëse për lindjen, shtatzëninë dhe prindërimin e hershëm – thotë:
“Çdo ndërveprim pozitiv që ka një foshnjë me kujdestarët e saj ndihmon në prodhimin e oksitocinës dhe krijimin e lidhjeve të shëndetshme në tru – një bazë e rëndësishme për një jetë të shëndetshme në të ardhmen.”

Ekspertët rekomandojnë këto mënyra për t’i dhënë foshnjës një fillim të mbarë në jetë:

  1. Mblidhni kolostrumin
    Kolostruma është qumështi i parë që prodhon nëna pas lindjes, por mund të mblidhet që nga java e 37-të e shtatzënisë.
    “Ajo është si një ‘ilaç natyral’ i përqendruar, i mbushur me antitrupa që mbrojnë foshnjën nga infeksionet dhe forcojnë sistemin imunitar,” thotë mamia Lesley Bland.
    Gjithashtu, ndihmon sistemin tretës të zhvillohet, ul rrezikun për alergji apo sëmundje dhe ndihmon foshnjën të nxjerrë jashtëqitjen e parë (mekoniumin), duke reduktuar rrezikun e verdhëzës.
    “Kolostruma është si ‘ar i lëngshëm’, veçanërisht për foshnjat e lindura nga nëna diabetike, binjakët apo foshnjat që kanë nevoja të veçanta shëndetësore.”
  2. Reagoni me kujdes ndaj nevojave të foshnjës
    Eksperiencat e para ndikojnë shumë në zhvillimin e trurit të një fëmije.
    Walker shpjegon: “Foshnja jep sinjale – nëse për shembull hap gojën dhe jep shenja përgjumjeje, atëherë ka nevojë për qetësi dhe përkëdhelje.”
    Të dish të lexosh këto sinjale dhe të reagosh me ndjeshmëri është themel i zhvillimit të sigurt emocional.
  3. Kontakti lëkurë më lëkurë
    Pas lindjes, kontaktoni menjëherë lëkurë-më-lëkurë me foshnjën – kjo është thelbësore për mirëqenien e fëmijës.
    “Ky kontakt ndihmon në rregullimin e frymëmarrjes, rrahjeve të zemrës dhe temperaturës së trupit, forcon lidhjen mes nënës dhe foshnjës, dhe ndihmon në fillimin e gjidhënies,” thekson Bland.
    Gjithashtu, përmes kontaktit, fillon ndërtimi i mikrobiomës – një ‘mburojë e gjallë’ e trupit ndaj sëmundjeve.
  4. Krijoni rutina të qeta dhe të qëndrueshme
    Rutina të thjeshta për gjumë, ushqim dhe lojë ndihmojnë foshnjat të ndihen të sigurta dhe të fillojnë të kuptojnë botën përreth.
    “Qoftë edhe një renditje e butë e aktiviteteve ditore ndihmon në krijimin e sigurisë emocionale,” thotë Davies.
  5. Kujdesuni për lëkurën e foshnjës
    Lëkura e foshnjës është shumë më e hollë dhe e ndjeshme se ajo e një të rrituri.
    “Mos e lani foshnjën për të paktën 48 orë pas lindjes, që të lejoni vajrat natyrale të përthithen. Përdorni vetëm produkte pa aromë dhe pa vajra esencialë, veçanërisht për foshnjat nën 3 muajsh,” këshillon Bland.
  6. Flisni dhe këndoni për foshnjën
    Çdo herë që i flisni, i këndoni, i buzëqeshni apo i përgjigjeni me ngrohtësi, po ndërtoni lidhje të rëndësishme emocionale.
    “Foshnjat mësojnë shumë shpejt tingujt e gjuhës. Deri në 6 muajsh, ato dallojnë gjuhën e tyre. Leximi me zë dhe të folurit përditë ndihmon në zhvillimin e gjuhës,” thekson Walker.
  7. Përdorni prekjen si mjet komunikimi
    Prekja është ndër mënyrat më të fuqishme për të komunikuar me foshnjën.
    Qoftë përmes përqafimeve, përkëdheljeve apo masazhit për foshnja, kjo formë kontakti ndihmon në zhvillimin emocional dhe trurin e foshnjës.
  8. Dilni jashtë çdo ditë
    Ajri i pastër dhe drita natyrale janë të rëndësishme për gjumin, humorin dhe zhvillimin e përgjithshëm të foshnjës.
    “Edhe një shëtitje e shkurtër në karrocë, duke parë dritën që reflekton përmes gjetheve, është e dobishme,” thotë Davies.
  9. Kujdesuni edhe për veten
    Në mes të gjithë angazhimeve, është e rëndësishme që prindërit të mos harrojnë kujdesin për veten.
    “Nëna dhe babai kanë nevojë për mbështetje dhe kohë për veten” përfundon përfundon Davies./ Shendeti.com.al / Burimi: Independent
Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko