Nga Namir LAPARDHAJA – 

Në historinë e qyteteve ka datë dhe ditë që shënjojnë ngjarje të rëndësishme. Një ndër to për qytetin e Beratit është e mërkura e 9 janarit të vitit të largët 1991.

E më konkretisht, mitingu i parë i Partisë Demokratike në këtë qytet.

Kanë kaluar plot 27 vjet nga ajo datë, megjithëse kujtesa kolektive është mjaft e freskët dhe do të jetë gjatë e tillë për të përkujtuar sfidën që qyteti i bëri regjimit komunist, edhe pse ky ishte në gramat e fundit të tij.

Mitingu i 9 janarit 1991 në Berat nuk ishte vetëm i Partisë Demokratike, por i të gjithë banorëve të qytetit.

Prania e një numëri të konsiderueshëm njerëzish (më shumë se 20 mijë), tejmbushja e sheshit përpara stadiumit “Tomori”, e rrugës kryesore që të çon në drejtim të tij, e xhepave anësor që lidhin sheshin me pjesët e tjera të lagjeve përreth, ballkonet dhe dritaret e pallateve në maksimumin e tyre, janë tregues i qartë se, ashtu siç kishin bërë muaj më parë qytetet e tjera, ishte radha e Beratit për të vrarë frikën një herë e përgjithmonë.

Dhe frika u vra pikërisht në atë të mërkurë janari, në një ditë me diell të ëmbël në horizont, që me rrezet e tij po çante ngricën dhe acarin siberian të një regjimi që e kishte mbajtur nën terror dhe dhunë Beratin, ashtu siç kishte bërë për 45 vjet me radhë me të gjithë Shqipërinë.

Kishte filluar një uragan mbarë popullor, duke filluar nga Shkodra, Kavaja, Elbasani, Tirana… etj. dhe në atë të mërkurë ishte radha e Beratit.
Për herë të parë pas vitit të largët 1924, kur kishin protestuar për herë të fundit për largimin e padrejtë nga puna të mësuesit të talentuar Xhevdet Dishnica, beratasit po tregonin kurajo qytetare duke mbushur sheshin më të madh të qytetit. Një shesh ku gjithsecili kishte rëndësinë e tij për atë që do të vinte më vonë.

Nuk kishte më frikë. Ajo ishte vrarë. Kishin qenë studentët dhe Partia Demokratike të parët që e kishin thyer akullin dhe ngricën. Regjimi po jepte shpirt, edhe pse ai herë pas here ngrihej dhe sërish mund të godiste, atë të mërkurë, beratasit, si asnjëherë më parë, filluan ta mbushin sheshin përpara stadiumit që në orën 11:00, fiks dy orë përpara orarit zyrtar që organizatorët e Partisë Demokratike kishin njoftuar mbajtjen e mitingut.

Skeptikët dhe nostalgjikët e regjimit ishin dorëzuar. Ata nuk e kishin menduar asnjëherë që në një periudhë aq të shkurtër kohore, me një shpejtësi të jashtëzakonshme dhe me një organizim, pothuajse, të natyrshëm dhe pa shumë sforco, në sheshin më të madh të qytetit do të mblidheshin aq shumë njerëz e do të thërrisnin e brohorisnin “Liri-Demokraci”, “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa”, “Enver-Hitler” etj.

Beratasit po hidhnin tej prangat e robërisë dhe po vishnin petkun e lirisë, të cilën e kishin ëndërruar aq shumë.
Sheshi buçiste. Në tribunë u ngjitën të gjithë me radhë… Azem Hajdari, Gramoz Pashko, Eduart Selami etj. dhe ndër beratasit ra në sy fjalimi i studentit Gjergji Hotova, i cili dukej sikur përçonte mesazhin e të gjithë studentëve të Tiranës edhe për popullin e Beratit.
Mitingu ishte madhështor, fjalimet i mbushën me shpresë, guxim dhe kurajo të gjithë pjesëmarrësit. Një emocion i papërsëritshëm ajo ditë e shënuar për të gjithë qytetarët e Beratit.

E parë nga sot, do dukej si një ëndërr e bukur pas një gjumi të gjatë dhe një natë të errët që kishte zgjatur plot 45 vjet. Një pafundësi e zezë që po zbardhte në një ditë janari me diell dhe një qetësi shpirtërore që shpërhapej në zemrat e të gjithë pjesëmarrësve.

Njerëzve iu ishte kthyer shpresa tek liria, demokracia dhe Evropa. Ishte pikërisht Partia Demokratike, shtëpia e studentëve, intelektualëve, njerëzve të thjeshtë dhe të ndershëm, ajo që po e kthente këtë shpresë dhe besim.

Sot, 27 vjet nga ai miting madhështor, është e lehtë të arrish në konkluzione dhe të merresh me analiza se çfarë nuk shkoi mirë përgjatë kësaj periudhe.

Pavarësisht gjithçkaje, koha e gjatë e kësaj force politike ka treguar se ajo është e aftë t’i përmbush aspiratat dhe misionin për të cilin lindi, u krijua dhe jetoi, si një shpresë që shqiptarët e kanë tek porta, pavarësisht kohës së saj të gjatë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re