9+1/ Kush janë deputetët e PD-së që kanë dalë pro Berishës, qëndrimi që ka mbajtur secili prej tyre. A do të kenë fatin e ish-kryeministrit

situata-ne-pd.jpg

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë

Të paktën 9 deputetë të PD-së, janë pozicionuar në krah të ish-kryeministrit Sali Berisha, në përplasjen brenda partisë më të madhe të opozitës.

Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu, Oerd Bylykbashi, Albana Vokshi, Bujar Leskaj, Luan Baçi, dhe Luçiano Boçi, Edmond Spaho janë emrat me peshë në PD që i janë bashkuar foltores së ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili po bën përpjekjet e tij për të mbledhur firmat që të mbledhë Kuvendin Kombëtar, ku të votohet në lidhje me përjashtimin e tij nga grupi parlamentar.

Secili prej 9 deputetëve, 10 bashkë me Berishën, është shprehur publikisht në lidhje me qendrimin e gabuar të Bashës sipas tyre, që vret demokracinë e brendshme. I pari që e pësoi nga qëndrimer e mbajtura është Flamur Noka, i cili u shkarkua dje nga Basha, nga pozicioni i nënkryetarit të Komisionit të Sigurisë Kombëtare, dhe u paralajmërua për përjashtim nga grupi.

Vetë Noka nuk u shpreh i surprizuar nga vendimi i marrë, ndërsa shkarkimi i tij solli dhe reagimin për herë të parë publik kundër Bashës të deputetes Albana Vokshi. Kjo e fundit në një postim në rrjetet sociale tha se partia mund të vritet nga vendimet personale të kryetarit.

Por le ti marrim me radhë qëndrimet e secilit prej deputetëve që kanë dalë kundër Bashës dhe pro Berishës, ndërsa pjesa më e madhe e tyre i janë bashkuar dhe takimeve të foltores.

Flamur Noka- Ishte i pari që reagoi kundër përjashtimit të Berishës. Ai ka pasur përplasje të njëpasnjëshme me Bashën në mbledhjet e grupit të PD, dhe e ka shoqëruar Berishën në të gjitha qytetet ku foltorja është ndalur për takimet me bazën e demokratëve. Noka është shprehur se ai është rritur në PD, dhe nuk mund të lejojë që vendime individuale të kryetarit të shkatërrojnë partinë.

Edi Paloka- E gjeti veten jashtë postit të nënkryetarit të Partisë, dhe zëvendësoi Nishanin në krye të Këshillit Kombëtar të PD. Atij iu besua drejtimi i një qarku të rëndësishëm si ai i Durrësit, por pavarësisht kësaj, nuk hezitoi që të dilte kundër Bashës në vendimin për të përjashtuar Berishën. Ai ishte pjesë e foltores së Durrësit, ndërkohë që ishte ndër shoqëruesit e Berishës, teksa ky i fundit shkonte në seancën e parë të Kuvendit.

Tritan Shehu- Njësoj si Noka dhe Paloka, ndër mbështetësit e parë publik të Sali Berishës, pjesë dhe organizator i takimit të ish-kryeministrit në Gjirokastër, qark të cilin e drejtoi në zgjedhjet e 25 Prillit. Shehu ka deklaruar vazhdimisht se vendimet individuale të kryetarit duhet të marrin fund.

Oerd Bylykbashi- Me disa statuse të njëpasnjëshme në rrjetet sociale, ku fliste për dhënien fund të vendimeve të kryetarit, deputeti i Durrësit e bëri të qartë se ai ishte kundër përjashtimit të Berishës. Së fundi ai është përfshirë në një përplasje direkte me Bashën, të cilin edhe e ka akuzuar për një pazar të fshehtë me Ramën, që lidhet me zgjatjen e afateve të Vetingut dhe Reformën Territoriale. Basha është përplasur me Bylykbashin në mbledhjen e grupit, dhe i ka kërkuar që të bëjë publike provat nëse ka vërtetë një paza PD-PS. Nga ana tjetër Basha e përjashtoi Bylykbashin  nga një takim me përfaqësuesit e OSBE-ODHIR, edhe pse deputeti është një nga ekspertët më të mirë që ka PD në çështjet e zgjedhjeve.

Albana Vokshi- Emri i saj u lakua që në ditët e para që ishte kundër vendimit të Bashës për përjashtimin e Berishës, por publikisht doli vetëm mbrëmjen e djeshme, pas shkarkimit të Nokës nga posti i nënkryetarit të komisionit të sigurisë kombëtare. ” Liria dhe demokracia e brendshme janë oksigjeni që mund të mbajnë në jetë PD-në. Memeceria, bindja e verbër dhe futja në rrjesht janë asfiksim që e con PD-në në një vdekje pa zhurmë por të sigurt”, shkruante dje Vokshi.

Bujar Leskaj- I rikthyer rishtaz në politikën aktive, ish-kreu i KLSH-së Bujar Leskaj që në fillim e ka kundërshtuar përjashtimin e Berishës nga grupi parlamentar. Drejtuesi politik i qarkut të Vlors edhe më herët kishte pasur përplasje me Lulzim Bashën, për listën e deputetëve, dhe përjashtimi i Berishës duket se qe preteksti për ti hedhur më tej benzinë zjarrit. Leskaj u bë pjesë e takimit të Berishës në Vlorë, dhe thumboi Bashën përpara gazetarëve, duke thënë se për të folur deputetëve u duhet që të marrin leje nga lart.

Luan Baçi- I njohur për lidhjen e tij të fortë me bazën në Fier, Luan Baçi tha se iu bashkua foltores së Berishës në Fier, pikërisht prej kërkesës së tyre. Ai duket se ka pasur pakënaqësi me Bashën, edhe për shkak se drejtimi politik i Fierit iu besua Enkelejd Alibeajt, i cili sot është zgjedhur nënkryetar i PD dhe Kuvendit, dhe një nga njerëzit më pranë Bashës.

Luçiano Boçi- Një prej deputetëve që ka marrë më shumë vota personale në radhët e demokratëve, Boçi përfaqëson një qark të rëndësishëm si ai i Elbasanit, ku Berishës iu rezervua një pritje e zjarrtë nga mbështetësit e tij. Boçi ishte në rreshtin e parë të sallës, së bashku dhe me drejtues e ish-drejtues lokal të partisë. Emërimi i Gazment Bardhi në krye të qarkut, duket se i ka lënë të pakënaqur të vjetrit, që nuk i fshehin pretendimet e tyre.

Edmond Spaho– Ish-nënkryetari i Partisë ka bërë deklarata të forta kundër Bashës, dhe të besuarit të tij Ervin Salianji në Korçë. Edhe sot, Spaho ka mbajtur një qëndrim, të fortë ku e akuzon Bashën, se po sillet me deputetët njësoj si Enver Hoxha në vitin ’45. ‘Lul mjaft me debime, fillo internimet tani. Bjeru deputeteve si ne 45. Po ndonje pushkatim nuk do bejme? Nuk e ben dot Enverin ti. I pari ishte historik, i dyti qesharak dhe i mjere. Po te mblidhet litari, Lul, po te mblidhet’, shkruan Spaho në postimin e tij në rrjetet sociale.

Së bashku me Berishën, janë 10 deputetë të PD që tashmë janë pozicionuar kundër Bashës, ndërkohë që ky i fundit ka mbledhur rreth vetes disa personazhe, që nuk kanë pasur poste të larta në kohën e qeverisjes së Sali Berishës.

Grida Duma, Alfred Rushaj, Jorida Tabaku, Enkelejd Alibeaj, apo Ervin Salianji e Agron Gjekmarkaj, janë shndërruar në avokatët e Bashës edhe në daljet e tyre televizive, duke e justifikuar vendimin e kreut të PD-së për përjashtimin e Berishës si një kërkesë që nuk mund ti thuhej jo amerikanëve.

Mbetet për t’u parë nëse Berisha do të mbledhë firmat që i duhen për të thërritur mbledhjen e Kuvendit Kombëtar, dhe nëse më tej do të ketë një mocion për shkarkimin e Berishës. Edhe pse numërat në grupin parlamentar për momentin flasin në favorin e Bashës, baza e demokratëve duket se do të ndryshojë shumë anën e pershores.

(E.K/Faxweb.al)

/faxweb

Ndajeni këtë artikull me të tjerë duke klikuar ikonat më poshtë