Në letrën ku shkruhej testamenti i Nexhmije Hoxhës që publikoi sot gazetari Xhevdet Shehu i gazetës DITA, vihet re fakti që në asnjë moment, Nexhmija nuk përmend djalin e saj Sokolin dhe nusen e tij Liljanën.

Nexhmija quan si të vetët vetëm Sokolin e Pranverën pra djalin dhe
vajzën, bashkë me pasardhësit e tyre duke mohuar kështu djalin Sokolin
bashkë me fëmijët e tij. Teksa nusen e Ilirit, Teutën e ngre në qiell,
Liljanën, nusen e Sokolit, Nexhmija nuk e përmend fare.

“Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe
Pranvera me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e
veçanta dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më
la Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”, shkruan Nexhmija.

“Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i
Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe
fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të
ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të
Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje,
brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver
Hoxhës”, shkruan më tej Nexhmija në letër.

Ndërkaq, mësohet se Sokoli nuk i ka shkuar në varrim të ëmës, Nexhmijes që vdiq dje në moshën 99-vjeçare.

Letra e plotë: 

Të dashurit bijtë e mi, Ilir e Teuta,

Qofshi të gëzuar e paçi bekimin tim për gjithë jetën! Bekimi duket
sikur është një atribut fetar, që jepet nga zoti ose një i shenjtë. Jo!
Unë nuk njoh zot. Perëndia ime është ndërgjegjja, mirësia, dashuria,
ndershmëria, e vërteta, bukuria te njeriu, shoqëria e natyra. Unë s’jam e
shenjtë, bekimi im është “bekimi i nënës”, bekimi më i sinqertë dhe i
pastër, i dalë nga zemra me gjithë shpirt. Lum kush e fiton! Ky “bekim”
nuk është një pasuri në para e flori, në prona e të mira materiale, po
është një pasuri e paçmueshme shpirtërore që njeriu e fiton me respekt,
dashuri, mençuri e mirësjellje ndaj asaj që e ka sjellë në jetë dhe ndaj
atyre që e kanë rritur e ndihmuar të bëhet “njeri”.

Të kesh bekimin e nënës dhe respektin e gjithë atyre që ke pasur
përkrah në rrugën e jetës, të bën të jetosh i qetë, në paqe me
ndërgjegjen tënde, i dashur dhe i lumtur në familje, i nderuar në
shoqëri.

Ishit veçanërisht ju, ti Ilir me Teutën e fëmijët tuaj, edhe Pranvera
me të sajët, që ma bëtë jetën të jetueshme, me përkujdesjet e veçanta
dhe dashurinë e ngrohtë që më rrethuat në vetminë e madhe që më la
Enveri. Prandaj e meritoni “bekimin e nënës”.

Ti, Ilir, u ndodhe e qëndrove i palëkundur në ballë të një lufte të
egër hakmarrëse, përballove përndjekje të paimagjinueshme, akte barbare
si ai i zhvarrimit të babait tënd, shpërnguljen me dhunë dhe degdisjen e
familjes tënde në një skaj të Tiranës, në një banesë gjysmë të
shkatërruar, pa drita e ujë.

Me shumë sakrifica ti, Ilir, bashkë me Teutën, më ndoqët me gjithë
përkujdesjet e plotësimit të nevojave deri në burgun famëkeq të
Tepelenës. Mbrojtjen publike në shtyp të emrit e veprës së babait tënd,
si edhe në gjyq, ti e pagove me burgim, të cilin e durove dhe e kreve si
bir i denjë i Enverit.

Por ti munde të përballosh e të dalësh i nderuar nga kjo luftë e
pamëshirshme e forcave reaksionare, revanshiste, antikomuniste e
antikombëtare, sepse përkrah teje pate shoqen e jetës tënde, Teutën.

Nëqoftëse unë, kur dola nga burgu, gjeta një krevat për të fjetur,
bibliotekën me veprat e Enverit si dhe 2-3 kolltukë ku të pres miqtë,
këto i kam në sajë të kujdesit të Teutës. Krahas punimeve për t’i bërë
disi të banueshme ambientet që i dhanë Ilirit e Pranverës përtej
Laprakës, që si për poshtërim ia vunë emrin “te pularia”, Teuta (edhe
pasi u burgos Iliri) përballoi plotësimin e nevojave për fëmijët e saj,
për Ilirin e mua në burg si edhe për Sanon, që u vendos në një
garsonierë pranë, duke e ndihmuar me shërbime që kish nevojë mosha e
saj, duke i bërë edhe 1 a 2 herë në ditë injeksionin e insulinës për
diabetin që kish, siç ia kish bërë edhe te vila 6, gjatë mungesës sime,
kur isha në burg.

Karakterin e saj të fortë, Teuta e tregoi veçanërisht gjatë
arrestimit e burgimit të Ilirit. Si për çdo grua shqiptare burgosja e
burrit, e babait të fëmijëve, vajtja për takim në ato ambiente të
frikshme, qenë strese jashtëzakonisht të rënda.

Të gjitha këto që përmenda vërtetojnë atë fjalën e urtë të popullit: “Njeriu njihet në kohë të vështira”. Teuta e tregoi këtë.

Koha tregoi se ti, Ilir, kishe bërë një zgjedhje të mirë për shoqen e
jetës. Se gruaja mund të bëjë të lumtur, ajo mund edhe të ta nxijë
jetën. Një shembëlltyrë e tillë i ndodhi djalit tjetër tim, Sokolit, për
fatkeqësinë e tij e të familjes sonë, u lidh me një grua jo vetëm të
sëmurë nga nervat, por të sëmurë nga koka e të ligë nga shpirti. Siç
tregoi koha, ajo kish qenë mish i huaj që kur hyri në shtëpinë tonë, po
që me ndryshimin e klimës politike në vend erdhi në dekompozim e
degradimin e fundit politiko-moral.

Duke qenë në burg, askush s’më ka shkruar letra aq të poshtra sa ajo.
Nuk ia vlen të zgjatem me marrëzitë e saj… Të gjitha këto më shkaktuan
një dhimbje të thellë, por nuk e lashë veten të më mposhtë, se kisha
detyrime të tjera, politike e njerëzore, të mbroja publikisht Enverin
nga fushata e ndyrë e antikomunistëve, ballistëve e gjithë skota e
bashkëpunëtorëve me nazi-fashistët, që s’kanë pushuar së përbalturi
emrin e figurën e Enver Hoxhës dhe nuk do të pushojnë të shtrembërojnë
historinë 50 vjeçare të pushtetit popullor e të shoqërisë socialiste,
nën udhëheqjen e tij.

Dhimbja e keqardhja për këtë lloj qëndrimi është e madhe, por në
ndërgjegjen time kam qenë e jam e qetë, se në asnjë kohë, si në fëmini,
në rini e më vonë, Sokolin e kam dashur njëlloj si Ilirin dhe Pranverën,
është absurde ta mendosh e ta thuash, përse mund ta paskam dashur më
pak (!!!), përse “unë s’paskam qenë kurrë nënë për të (!!!). Përkundrazi
jam kujdesur e i kam qëndruar më afër, sepse më vinte keq, se kish
gruan me shëndet të dobët (kështu gjykonim atëherë kur kjo “nuse”
nusëronte urtë e butë, duke buzëqeshur ose kur me “dobësitë” e saj të
papritura na bënte t’i venim rreth shtratit a ta dërgonim në Paris). Për
lidhjet afektive, normale me Sokolin, si nënë e bir, madje dhe me të
shoqen, flet dhe Ditari im shumëvjeçar si dhe korrespondenca jonë me
dhjetëra e dhjetëra letra.

Por unë nuk u lëshova edhe pse pata mbështetjen e ngrohtësinë e
Ilirit e Pranverës, Teutës e Klemit si dhe të fëmijëve të tyre, po ashtu
dhe të shumë shokëve e shoqeve, miqve e dashamirësve të familjes së
Enverit.

Duke qenë ende në burg, Klemi më tha: “Ti ke në dispozicion shtëpinë
tonë që na kanë dhënë nga Lapraka, do të jesh pranë Ilirit, deri sa të
rregullohemi të vijmë edhe ne”. Klemi dhe Pranvera, për veten e tyre, me
vite jetuan si mos më keq nëpër shtëpitë e njerëzve të tyre bujarë,
duke fjetur në divane e krevatë portativë. Po për shërbimet, ndihmat e
përkujdesjet e Klemit e Pranverës, nuk po zgjatem në këtë letër, që po e
shkruaj më shumë për ju të dy, Ilir e Teuta.

Të dashur Ilir e Teuta,

Desha t’ju shpreh mirënjohjen time për dashurinë e përkujdesjet që
keni treguar ju të dy ndaj meje, por padashur vajti “gjuha te dhëmbi i
dhëmbur e i krimbur”, megjithëse ky kapitull për mua e për ju është i
mbyllur.

Unë uroj dhe shpresoj që të paktën fëmijët e Sokolit, që janë gjaku i
Enverit dhe mbajnë emrin e tij, në t’ardhmen, pas nesh, ata vetë dhe
fëmijët e tyre, që do të rriten në një klimë tjetër, ndoshta jo kaq të
ngarkuar me konflikte politike, të ndjekin, bashkë me fëmijët tuaj e të
Pranverës, në shembullin e tyre konsekuent, rrugën e drejtë në mbrojtje,
brez pas brezi, të emrit, rolit e veprës së gjyshit të tyre, Enver
Hoxhës.

Po e mbyll këtë letër edhe një herë me urimin: Rrofshi e qofshi të
gëzuar bashkë me fëmijët tuaj! Paçi bekimin tim për gjithë jetën!

Ju përqafoj me dashuri mëma juaj, Nexhmije

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re