Ngërçi i krijuar nga mos krijimi i Gjykatës së Lartë të surgjenosur nga procesi i Vettingut ka detyruar kryetaren e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami të zhvillojë një takim me përfaqëesuesit e organeve të Vettingut, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe të Komisionit të Posaçëm të Apelimit.

Kryetarja e KLGJ, Naureda Llagami, ftoi në një takim koordinues kryetaren e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, Pamela Qirko dhe kryetaren e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, Albana Shtylla, me qëllim përshpejtimin e procesit të rivlerësimit, të kandidaturave nga sistemi gjyqësor, për anëtarë të Gjykatës së Lartë.

Plotësimi i vendeve vakante në Gjykatën e Lartë përveçse është prioritet për Këshillin e Lartë Gjyqësor, kërkon edhe një bashkëpunim të ngushtë mes të gjitha organeve kushtetuese të cilat garantojnë funksionimin e shtetit të së drejtës, pavarësinë e sistemit të drejtësisë dhe rikthimin e besimit të publikut tek institucionet e këtij sistemi.

Për këtë arsye, sipas njoftimit për median, roli i organeve të vetingut është i rëndësishëm me qëllim rritjen e mundësisë së zgjedhjes nga ana e KLGJ-së së kandidaturave më me integritet, profesionalizëm dhe besueshmëri për të shërbyer pranë kësaj Gjykate.

Drejtueset e institucioneve të rivlerësimit kalimtar shprehën angazhimin e tyre për trajtimin me prioritet të subjekteve të rivlerësimit që kanë kandiduar për vendet vakante në Gjykatën e Lartë, në përputhje me rregullat procedurale në fuqi.

Funksionimi i Gjykatës së Lartë është thelbësor për vijimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE, po aq sa është edhe sigurimi i një aksesi efektiv në drejtësi për qytetarët e Shqipërisë.

Gjykata e Lartë duhet të ketë 19 anëtarë, por aktualisht ka mbetur vetëm me katër. Kjo ka bërë që të mbesin pa u shqurtuar mbi 25 mijë dosje.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re