Qytetarët e Kosovës kanë nisur të aplikojnë online për tërheqjen e 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti i Kursimeve Pensionale. Aplikimi po bëhet përmes linkut të krijuar nga ky Fond. Zyrtarët e Trustit kanë sqaruar se mbi 500 mijë është numri i personave që kanë tentuar të kyçen në ueb-faqen e Trustit për të aplikuar për të tërhequr 10 për qind të kursimeve pensionale.

Në bazë të Ligjit për Rimëkëmbjen Ekonomike, qytetarët do të kenë mundësi që të tërheqin 10 për qind të shumës së siguruar për kursime pensionale, që kanë kontribuar gjatë kohës sa kanë punuar. Kjo gjë sipas arsyetimit të qeverisë, bëhet për të rritur kërkesën agregate në treg, përkatësisht fuqinë blerëse të qytetarëve. Vlerësohet se mbi 200 milionë euro është vlera që mund ta tërheqin qytetarët nga Trusti.

Të gjithë të punësuarit në Kosovë paguajnë 10 për qind kontribute pensionale nga paga e tyre: pesë për qind të shumës së përgjithshme të pagës e paguan punëdhënësi nga buxheti i tij, kurse pesë për qind paguhet nga paga e punëtorit.

Deri më tani, më shumë se 2 miliardë euro ka arritur vlera e mjeteve të mbi 600 mijë llogari mbajtësve në Trustin e Kosovës. Në bazë të Ligjit, kontribut-paguesit që kanë kursime deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së 10 përqindëshit nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do t’i kompensojë ata brenda pesë vjetëve të ardhshme. Kurse, kontribuesit që kanë më shumë se 10 mijë euro, nuk do të kompensohen. Mirëpo, kjo gjë po kundërshtohet nga disa qarqe në Kosovë, duke e konsideruar se po shkelet kushtetuta dhe trajtimi I barabartë I të gjithë qytetarëve.

Sipas të dhënave të Fondit të Kursimeve Pensionale, rreth 92 për qind e kontributpaguesve kanë mjete nën 10 mijë euro, kurse tetë për qind mbi 10 mijë euro.

Numri më i madh i kontributpaguesve apo më shumë se 212 mijë qytetarë, kanë kontribute nga 100 deri në 1000 euro, që i bie se nga Trusti do të arrijnë të tërheqin nga 10 deri në 100 euro. Kurse, rreth 195 mijë qytetarë do të kenë mundësi t’i tërheqin deri në 500 euro. Ndërkaq, më shumë se 104 mijë qytetarë, kursime pensionale kanë vetëm deri 100 euro, që nëse aplikojnë për tërheqje, do t’i marrin 10 euro.

Nga shuma e përgjithshme e kursimeve pensionale, Fondi i Kursimeve Pensionale ka të investuar në Kosovë 570 milionë euro ose 29 për qind të mjeteve. Prej tyre 384 milionë euro janë blerja e letrave me vlerë të Qeverisë së Kosovës dhe rreth 186 milionë euro janë depozita në bankat e Kosovës. Kurse pjesa tjetër gjendet në tregje të ndryshme financiare ndërkombëtare, kryesisht me risk të ulët, për cka edhe kthimi është më i ulët.

Kontribuesi mund t’i tërheqë paratë kur arrin moshën e pensionit, 65 vjeç, muaj për muaj, nga 1% të shumës së grumbulluar.  

*

Kosova pritet të marrë vaksina për 20% të popullatës, thotë Hoti

Situata me COVID-19 është e rëndë, ka vlerësuar Kryeministri Avdullah Hoti në një postim që e ka bërë të dielën në Facebook. Edhe pse ka thënë se së fundmi ka pasur rënie të rasteve aktive, Hoti ka vlerësuar se qeveria është e detyruar t’i mbajë masat anti-COVID në fuqi.

“Me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike dhe organizatave relevante ndërkombëtare, duhet të mbajmë masat dhe të forcojmë mbikëqyrjen e zbatimit të tyre. Duhet të evitojmë takimet shpërndarëse të virusit, siç janë tubimet publike, ceremonitë e ndryshme etj”, ka shkruar Hoti.

Duke folur për vendimin që gjysmë-vjetori i parë i vitit shkollor të përfundojë më herët, Hoti ka thënë se pret që deri kur ato të hapen, më 18 janar 2021, spitalet të jenë më pak të ngarkuara.

Hoti ka thënë po ashtu se po punohet në sigurimin e vaksinës kundër COVID-19. Ai ka thënë se Kosova pret që të sigurojë vaksinë për 20 për qind të popullsisë, në kuadër të koalicionit COVAX.

Sa i përket gjendjes në spitale, Hoti ka pranuar se “ka probleme teknike me shtretër, apo me furnizim të plotë me barna, ose vështirësi në furnizim me oksigjen”. Megjithatë, sipas tij, janë të pavend dhe të papranueshme kritikat ndaj stafit shëndetësor në gjithë vendin.

Hoti ka paralajmëruar se po përgatitin edhe skenarët për masat e nevojshme për festat e fund-vitit.

*

Hoti thotë se Kosova ka shënuar progres në fushën e të drejtave të njeriut 

Me rastin e Ditës Botërore për të Drejtat e Njeriut, Grupi Ndërministror për të Drejtat e Njeriut në Kosovë, që kryesohet nga Kryeministri Avdullah Hoti, është takuar me përfaqësues të shoqërisë civile për të diskutuar rreth gjendjes së institucioneve kosovare në zbatimin e të drejtave të njeriut. Kryeministri Hoti tha se Qeveria e Kosovës është e përkushtuar që të drejtat e njeriut të jenë të prezantuara dhe përfaqësuara si pjesë e vlerave të shtetit kosovar, sipas tij, duke u bazuar në parimet elementare të demokracisë, të sundimit të ligjit dhe të barazisë. Hoti theksoi se në këtë aspekt, Kosova ka shënuar progres vitet e fundit.

“Ndihem mirë që Republika e Kosovës ka bërë progres gjatë këtyre viteve në sigurimin e të drejtave të plotësimit fillimisht të kuadrit të nevojshëm ligjor, duke miratuar një pako të plotë të ligjeve gjithëpërfshirëse që prekin të drejtat e njeriut, përfshirë Ligjin për mbrojtje nga diskriminimi, Ligjin për Avokatin e Popullit, Ligjin për Barazi Gjinore dhe me këto besoj se është kompletuar gjithë kompleksiteti i kornizës ligjore në këtë fushë”, theksoi Hoti.

*

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, kërkojnë t’u lejohet shkollimi vajzave që bartin mbulesë

Anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione, e kanë quajtur diskriminuese përjashtimin nga shkollat për vajzat që bartin mbulesë, raporton “Ekonomia Online”.

Në mbledhjen e këtij Komisioni ku ishte i ftuar ministri i Arsimit Ramë Likaj u kërkua që të hiqet udhëzimi administrativ që ndalon bartjen e mbulesës në shkolla.

Kryetarja e Komisionit Duda Balje, tha se ministri i Arsimit ka kompetencë për të lejuar vajzat që bartin mbulesën në shkolla.

Anëtarja e Komisionit, Besa Ismaili ka pyetur ministrin Likaj, se në bazë të cilit ligj po u ndalohet vajzave me shami shkollimi. Ajo po ashtu ka thënë se edhe brenda ministrisë së Arsimit ka lajthitje për këtë çështje.

“Brenda ministrisë së Arsimit ka lajthitje sa i përket politikave thotë Ismajli. Përfaqësuesi ligjor i MAShT e mohon se udhëzimi administrativ flet për shaminë. Në kemi të drejtë të dimë cili është pozicioni juridik që ka marrë kjo ministri. Këto vajza qe nuk kanë shkuar në shkollë a ka pasur ministria ndonjë program tjetër t’iu ofrojë  ndonjë arsimin ndryshe”, ka thënë Ismaili.

Ndërsa, ministri Likaj ka thënë se Kosova është shtet laik. Ai thotë se për çështjen e bartjes së mbulesës në shkolla ka kërkuar interpretim edhe nga Avokati i Popullit.

“Unë kam kërkuar edhe mendim të zyrës së Avokatit të Popullit. Unë vetë jam besimtar, por se praktikoj, por urdhëresa administrative e ministrit është bazuar në ligjin për arsimin profesional”.

Sipas Likajt, liria e festimit të fesë mund të kufizohet me ligj, sipas interpretimit të Avokatit të Popullit.

“Bazuar në Gjykatën Kushtetuese si dhe bazuar në Gjykatën Evropiane kufizimi i lirisë fetare në bartjen e shamisë bëhet me qëllim të pajtimit të interesave të ndryshme, ku bartja e shamisë mund të ketë efekt në imponimin e saj”, cituar Likaj interpretimin e Avokatit të Popullit.

Ndërsa, Veton Berisha tha se udhëzimi administrativ ka ndikuar në ndarje dhe kemi tërheqje të vajzave nga procesi mësimor.

“Kam kërkesa të ndryshoj kjo qasje. Dhe nuk ka një ligj që e ndalon përdorimin e shamisë. Jemi të interesuar këto vajza t’i kthehen mësimit”, tha ai.

Saranda Bogujevci tha se s’është duke kuptuar kodin e mirësjelljes sa i përket mbulesës.

Po ashtu ajo tha se nuk pa një bazë ligjore që e bënë këtë ndalesë. Ajo iu drejtua ministrit me pyetje në bazë të cilit ligj i ndalohet bartja e mbulesës një vajze.

Ndërsa Teuta Haxhiu i tha ministrit Likaj se ka bërë shkelje. E drejta e secilit është për t’u arsimuar në këtë vend.

 “Më mirë të kemi këto vajza në shkolla sesa në Siri”, tha Haxhiu.

*

LDK-ja paralajmëron zgjedhje në fillim të vitit të ri 

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) ka paralajmëruar se vendi do të shkojë drejt zgjedhjeve qysh në fillim të vitit të ardhshëm, nëse nuk arrihet një marrëveshje për postin e presidentit.

Sekretari i kësaj partie, Arban Abrashi, ka thënë se nëse në fillim të janarit nuk ka një zgjidhje për postin e presidentit, partitë duhet të përgatiten për zgjedhje sa më shpejt në mënyrë që të mos shkaktohen “probleme nga jostabiliteti politik”.

“Kryetari Mustafa e ka bërë të qartë që në qoftë se nuk ka zgjidhje shumë shpejt, gjatë fillim janarit ne duhet të përgatitemi ose po rrëshqasim drejt zgjedhjeve, sepse ato duhet të përfundojnë më herët në mënyrë që vendi të mos mbetet pa president, pasi ushtruesja e detyrës e ka një afat gjashtëmujor, kështu që do të shfaqeshin problemet se kush do t’i certifikojë zgjedhjet por edhe problemet tjera që mund të lindin nga jo stabiliteti politik”, ka thënë ai për “Kosovapress”.

*

Kosova dhe Serbia diskutuan në Bruksel për pensionet dhe kadastrin

Me ndërmjetësim të emisarit special të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, delegacioni i Kosovës, i prirë nga koordinatori shtetëror Skender Hyseni, ka zhvilluar në Bruksel Bruksel takimin e radhës me delegacionin serb.

Siç thuhet në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit të Kosovës, temë e diskutimit në këtë takim kanë qenë pensionet dhe kadastra.

Ky diskutim ishte vazhdimësi e trajtimit të këtyre çështjeve në takimin e kaluar më 29 tetor 2020.

“Edhe pas një diskutimi të gjatë, ende nuk ka përafrim të ndjeshëm të qëndrimeve. Kishte pajtim që diskutimi i këtij elementi të marrëveshjes së përgjithshme midis dy vendeve të vazhdojë në takimin e radhës”, thuhet në njoftim.

Takimi i 10 dhjetorit në nivel ekspertësh vjen pas një pauze gjatë së cilës nuk ka pasur takime, për të cilën si arsyetim është përmendur nga palët pandemia e koronavirusit.

Takime të nivelit të lartë, ku protagonist janë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk ka pasur qysh nga shtatori i këtij viti.

*

Rreth 2 mijë punëtorë teknikë në spitale nisën grevën të hënën 

Me kërkesën për pagesë shtesë nga qeveria, rreth 2 mijë punëtorë teknikë të kompanive private që punojnë në Qendrat e Mjekësisë Familjare në tërë Kosovën janë futur nga e hëna më 14 dhjetor në grevë, përmes së cilës po kërkojnë të subvencionohen me një pagesë shtesë për punën që po e bëjnë që nga fillimi i pandemisë Covid-19. Këtë e bëri të ditur kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, pas takimit me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj.

Kurse, ministri i Shëndetësisë tha se do të shqyrtohen mundësitë buxhetore për pagesat shtesë.

Zemaj tha se me Ligjin për Rimëkëmbje Ekonomike u ka ndihmuar këtyre kompanive duke i mbështetur me nga 290 euro për secilin punëtor. Por në Kosovë, shpesh këto mjete nuk kanë shkuar tek punëtorët, por pronarët e bizneseve i kanë mbajtur për vete, apo anëtarët e ngushtë të familjeve të tyre, të cilët i kanë regjistruar si punëtorë.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko