Edhe në ditën e gjashtë të kërkimeve për dy policët e zhdukur nga Kaçaniku, qindra persona po marrin pjesë në kërkim që po bëhet në lumin Lepenc, por ajo  që bie në sy në mesin e gjithëve është një grua rreth të dyzetave e cila mbante shtrëngueshëm një shufër të gjatë  hekuri duke kontrolluar çdo pëllëmbë të lumit.

Kjo është Makbule Bela nga Hani i Elezit e cila për të pesten ditë me radhë në mënyrë vullnetare për çka tregon arsyen.

“Këtë po e baj n’mënyrë vullnetare se kjo mundet me i ndodhë çdokujt dhe gjithsecili e ka për obligim me e ndihmu njani-tjetrin mirëpo unë edhe i kam njoftë te dy ata djem se kam lidhje familjare me ta e janë shumë djem t’mirë, është gjynah çka ju ka ndodhë”, thotë Makbulja.

Ajo mëtej shton se ka ardhur nga Holanda dhe i është  bashkangjitur luftës së UÇK-së në  zonën operative të Pashtrikut, konkretisht ka qenë pjesëmarrëse në Betejën e Kosharës. Ajo thotë se e ka pasur komandant në atë kohë Rrustem Berishën, tash ministër i FSK-së ministri e cila  po udhëheq me operacionet e kërkim-shpëtimit në përpjekje për gjetjen e policëve Armend Trena e Malësor Dashi.

“Unë tash  me punu s’punoj kërkun jetoj më një pension 170 euro që e marr nga shteti si veterane e luftës, shteti nuk m’ka gjet naj punë e jam met qeshtu niher po kontriboj në mënyrë vullnetare naj sen çka po kam mundësi. Unë e kam pasë një rast të tillë në familje prandaj jam shumë e ndjeshme… ”, thotë me zë të ulët Magbulja, teksa tregon se para disa viteve i është mbytur në ujë vajza e vllaut dy vjeçare.

Kujtojmë se as pas gjashtë ditësh kërkimesh ende nuk ka gjurmë të dy policëve të zhdukur.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re