Skip to content

Bie në humnerë nga një lartësi prej afro 30 m, 14 vjeçarja nga Përmeti shpëton mrekullisht

Një 14 vjeçare është rrëzuar nga një lartësi prej afro 30 metrash në zonën e quajtur Lip në Përmet. E mitura ishte rrugës për një pelegrinazh me rastin e ditës së ‘Shën Elenës’, kur në një shteg të ngushtë, ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar.

Por pavarësisht rënies nga një lartësi e konsiderueshme, e mitura është gjallë dhe nga të dhënat e deritanishme, jashtë rrezikut për jetën. Vajza ka rënë nga pjerrtësia e shtegut drejt humnerës, por duket se bimësia dhe pemët kanë bërë të mundur ‘zbutjen’ e rënies nga lartësia e madhe.

Vajza ka pësuar disa dëmtime në kokë dhe trup. Ndërkohë autoritetet kanë njoftuar se e mitura është nxjerrë nga humnera dhe është transportuar drejt spitalit. Pritet që e mitura të niset drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar.

“Njoftohemi se rreth orës 11:20, në vendin e quajtur “Shënelenë”, në fshatin Lipe, Përmet, është rrëzuar nga një lartësi  shtetasja A. Q., 14 vjeçe, banuese në Përmet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrëfikëse, në bashkëpunim me banorët e zonës, bënë të mundur nxjerrjen e shtetases A. Q., e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mer ndihmën mjekësore në spitalin e Përmetit. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.