Një 14 vjeçare është rrëzuar nga një lartësi prej afro 30 metrash në zonën e quajtur Lip në Përmet. E mitura ishte rrugës për një pelegrinazh me rastin e ditës së ‘Shën Elenës’, kur në një shteg të ngushtë, ka humbur ekuilibrin dhe është rrëzuar.
Por pavarësisht rënies nga një lartësi e konsiderueshme, e mitura është gjallë dhe nga të dhënat e deritanishme, jashtë rrezikut për jetën. Vajza ka rënë nga pjerrtësia e shtegut drejt humnerës, por duket se bimësia dhe pemët kanë bërë të mundur ‘zbutjen’ e rënies nga lartësia e madhe.
Vajza ka pësuar disa dëmtime në kokë dhe trup. Ndërkohë autoritetet kanë njoftuar se e mitura është nxjerrë nga humnera dhe është transportuar drejt spitalit. Pritet që e mitura të niset drejt Tiranës për një trajtim më të specializuar.
“Njoftohemi se rreth orës 11:20, në vendin e quajtur “Shënelenë”, në fshatin Lipe, Përmet, është rrëzuar nga një lartësi shtetasja A. Q., 14 vjeçe, banuese në Përmet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe shërbimet zjarrëfikëse, në bashkëpunim me banorët e zonës, bënë të mundur nxjerrjen e shtetases A. Q., e cila ndodhet jashtë rrezikut për jetën dhe po mer ndihmën mjekësore në spitalin e Përmetit. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes”, njoftoi policia.

