Skip to content

Rusia dërgoi delegacion për bisedime në Minsk, reagon zyrtarisht Zelensky: Gati për paqe por jo në një vend agresor, lista me qytetet ku mund të takohemi

Fill pas deklaratave të Rusisë, se ka dërguar një delegacion të nivelit të lartë, në kryeqytetin e Bjellorusisë, Minsk, për bisedime me Ukrainën ka ardhur dhe reagimi i presidentit Zelensky.

Ai e ka refuzuar ofertën e rusëve, duke thënë se bisedimet në Minsk mund të ishin të mundshme nëse Rusia nuk do të kishte sulmuar Ukrainën nga territori bjellorus.

Megjithatë, ai e lë të hapur derën për negociata në vende të tjera.

“Nëse nuk do të kishte pasur veprime agresive nga territori juaj, ne mund të bisedonim në Minsk… qytetet e tjera mund të përdoren si vend për bisedime. Sigurisht që ne duam paqe, duam të takohemi, duam që lufta të përfundojë. Varshavë, Bratislavë, Budapest, Stamboll, Baku – ua kemi ofruar rusëve.

Çdo qytet tjetër do të na përshtatet gjithashtu – në një vend, nga territori i të cilit nuk lëshohen raketa ndaj nesh. Vetëm kështu negociatat mund të jenë të ndershme dhe mund t’i japin fund luftës”, ka thënë Zelensky.

Në ditën e 4 të luftimeve në Ukrainë, rusët kanë përparuar në qytetin e dytë më të madh të vendit, Khrakov, ndërkohë që Kievi mbetet ende në duart e vendasve.

Janë të paktën 240 të vrarë nga radhët e ukrainasve, ndërkohë që shumë shtete kanë dhënë ndihmën e tyre ndaj Ukrainës, qoftë me armë, qoftë me ndihma humanitare.

/faxweb