Subscribe
Një tjetër krim brenda familjes ka tronditur qytetin e Elbasanit. Jetlira Elezi, 37-vjeçe është masakruar me thikë nga bashkëjetuesi i saj Ramis Mici.
Personi që shikoni në foto është autori i vrasjes, i cili menjëherë pas krimit është larguar ndërkohë që është shpallur në kërkim nga policia.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit brenda banesës me qira ku jetonte çifti, në lagjen “Skënderbej”. Ishin pronarët e banesës ata që e gjetën gruan pa jetë të mbuluar me gjak dhe lajmëruan autoritetet.
Vrasja dyshohet se ka ndodhur për motive xhelozie. Para pak kohësh çifti kishte probleme, ku e reja kishte denoncuar në polici Ramis Micin për dhunë. Më pas 37-vjeçarja ishte pajisur me urdhër mbrojtjeje.
Krimi rëndohet në kushtet kur viktima kishte kërkuar ndihmë nga policia, ndërkohë që uniformat blu vetëm e kishin shoqëruar autorin për dhunë në familje, por nuk e kishin arrestuar. Edhe me urdhër mbrojtje, ata jetonin në të njëjtën banesë deri sa gjendja e tyre është renduar duke sjellë vrasjen e Jetlira Elezit.
Një tjetër detaj që zbulohet është fakti se këtë të shtunë e reja do të ikte të jetonte në një banesë tjetër, pasi ndihej e frikësuar nga bashkëjetuesi dhe për faktin se ai ishte i lirë dhe jetonin në të njëjtin ambient. Por duket se kjo e ka acaruar 37-vjeçarin i cili ka marrë thikë dhe e ka lënë të vdekur.
Të dy bashkëjetuesit vinin nga martesa të mëparshme dhe ishin të divorcuar. Viktima ishte nëna e dy fëmijëve, gjithashtu dhe autori kishte dy fëmijë nga martesa e parë. Fatmirësisht viktima e cila mbante vajzën nga martesa e parë, para pak ditësh e kishte dërguar tek ish-bashkëshorti dhe e mitura nuk ka qenë e pranishme në momentin që njerku i vrau të ëmën.