Skip to content

Studentët, protestë në Kuvend: Mos e miratoni projekt-ligjin, do të bojkotojmë universitetin

Në protestën e tyre të katërt gjatë dy muajve të fundit, studentët e mjekësisë dënuan sërish atë që e quajnë, politikë detyruese të qeverisë që i diskriminon ata dhe i përze nga vendi . (efekte)

 

Përmes një peticioni të firmosur nga më shumë se një mijë studentë të mjekësisë së përgjithshme, të rinjtë shprehen të vendosur për të bojkotuar vitin e ri akademik.

 

MARIO RABIAJ

STUDENT I MJEKESISE

 

“Peticioni është firmosur nga 90% e studentëve të mjekësisë së përgjithëshme dhe do të shkojë në 100% pasi janë në rrethe, me sezon provimesh. ”

 

Ndryshe nga herët e tjera, protesta e studentëve u mbështet edhe nga mjekë e pedagogë.

 

Dr. GENTIAN CACO

KIRURG VASKULAR

 

“Një vendim absurd sepse nuk mund të detyrosh në këtë mënyrë askënd. Nuk është kjo mënyra e zgjidhjes së këtij problemi që na përket të gjithëve, duhet të pyesim se përse largohen jo vetëm mjekët por edhe profesionistët e tjerë, kjo vendimmarrje është e padrejtë, një goditje për sistemin arsimor dhe atë shëndetësor.”

 

ERVIN GOCI

PEDAGOG

 

“Një ndëshkim përmes një ligji që bëhet në një mënyrë që i përket sistemeve arbitrare dhe godet jo vetëm këtë grup studentësh, por godet të gjithë shoqërinë, shkencën dhe të gjitha profesionet.”

 

Mjekët e ardhshëm shprehen se çështja do të dorëzohet shumë shpejt në Gjykatën Kushtetuese, ndërsa kanë kërkuar edhe mbrojtje nga presidenti i vendit.

 

“Na mbroni z. Begaj, mos i lejoni të njollosen këto bluza të bardha.”

 

Gjatë dëgjesave në dy komisione të kuvendit, studentët e mjekësisë kanë deklaruar se nuk ka patur konsultime të mirëfillta me ta dhe as nuk gjendemi në kushte emergjence, ndërsa të rinjtë që largohen nga vendi nuk janë vetëm mjekë.