Skip to content

Proçka e rëndë e një turisti irlandez në Bruksel

Një irlandez është arrestuar në Bruksel pasi ka shkaktuar dëme të konsiderueshme në një skulpturë jashtë ndërtesës së vjetër të Bursës së qytetit.

Sipas Daily Dail, vepra e veçantë e artit e quajtur “Dora me pishtar” është një nga dy skulpturat që rreshtojnë hyrjen e ndërtesës.

Ngjarja ndodhi të dielën e kaluar, vetëm një ditë pasi godina neoklasike “La Bourse” u rihap pas punimeve të rinovimit që zgjatën tre vite dhe kushtuan gati 90 milionë euro. Këto punime përfshinin restaurimin e shtatores në fjalë, i cili kushtoi 17500 euro.

Ndërtesa tani strehon një qendër vizitorësh.

Videoja që qarkullon në internet tregon të riun, i cili duket i dehur, teksa ngjitet në skulpturën e cila paraqet një luan dhe pranë tij një burrë me një pishtar. Teksa përpiqet të zbresë, ai këpur një pjesë të dorës së figurës mashkullore.

Siç raporton gazeta britanike, policia e ka gjetur personin pak më vonë në një fast-food aty pranë dhe e ka arrestuar.

Mediat belge raportojnë se do të kërkohet dëmshpërblim prej disa mijëra eurosh nga personi i arrestuar, i cili mësohet se është një turist irlandez.

Sipas menaxherit të punimeve të rinovimit në godinë, restaurimi i ri i skulpturës historike pritet të kushtojë shumë, sepse duhet t’u drejtohen zejtarëve të specializuar.