Presidenti aktual i Venezuelës Nicolas Maduro fitoi zgjedhjet presidenciale të së dielës me 51 përqind të votave, ndërsa kandidati i opozitës Edmund Gonzales Urrutia fitoi 44 përqind, tha komisioni kombëtar i zgjedhjeve, bazuar në fletëvotimet e numëruara në 80 përqind të qendrave të votimit.

Opozita po përgatitet të kundërshtojë rezultatet e shpallura nga komisioni zgjedhor, raporton AP.

Përfaqësuesit e opozitës thanë se të dhënat që ata mblodhën nga përfaqësuesit e tyre në 30 për qind të qendrave të votimit treguan se Gonzalez mundi Maduron.

Përpara shpalljes së rezultateve, opozita pretendoi se kishte “arsye për të festuar”, duke u kërkuar mbështetësve të shikonin numërimin e votave.

“Rezultatet nuk mund të fshihen. Vendi ka zgjedhur ndryshimin në mënyrë paqësore,” njoftoi Gonzalez në X përpara se të shpalleshin rezultatet zyrtare, raportoi Reuters.

American Edison Research parashikoi në exit poll 65 për qind të votave për Gonzalezin dhe 31 për qind për Maduron. Një sondazh i Venezuelës Meganalisis parashikoi vetëm 14 për qind të votave për presidentin aktual dhe 65 për qind të votave për kandidatin e opozitës.

Transparencë dhe llogaridhënie

Zgjedhjet presidenciale u mbajtën dje në Venezuelë dhe kundërshtarë të Maduros ishin përfaqësuesi i opozitës Edmundo Gonzales Urrutia dhe tetë kandidatë të tjerë.

Ky do të jetë mandati i tretë presidencial i Maduros, raporton AJB.

Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken u bëri thirrje autoriteteve zgjedhore të Venezuelës që të publikojnë një tabelë të detajuar të rezultateve të votimit për të siguruar, tha ai, “transparencë dhe llogaridhënie”.

Blinken shtoi se ishte e një rëndësie jetike pas përfundimit të votimit që çdo votë të numërohej në mënyrë të drejtë dhe transparente.

Maduro ka qenë në krye të Venezuelës që nga viti 2013.

 

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re