Qëndrimi me orë të gjata para ekraneve po dëmton shikimin e fëmijëve. Okulistja Suzana Zhuka, tha për emisionin ‘Helath o’clock’ se çdo ditë përballet me prindër që ankohen se fëmijët e tyre nuk arrijnë të shikojnë nga larg.
“Para disa vitesh ishte trendi që kishim anomali të refraksionit, që ishte hypermetropia, pra lentet ishin me plus, ndërsa pas futjes së teknologjisë digjitale dhe përdorimit në mënyrë masive të smartphone, kompjutera, laptop, filloi të ndryshonte dhe trendi i problematikave të syve tek fëmjët. Nga hypermetropia që ishte, ne konstatuam se nga 10 vizita të fëmijëve 3 i kemi me myopia apo astigmatizëm miopik”, tha okulistja.
Zhuka thotë se disa nga shenjat që shfaqin fëmijët me miopi, janë sy të lodhur, sy të irrituar, tharje të syrit, apo dhe lotim i shtuar.
“Deri në 10 vjeç është koha për ta kapur dhe trajtuar miopinë, duhet përcaktuar numri i saktë i syzeve dhe bëhet korigjimi”, shtoi okulistja Zhuka.
Myopia është kthyer në një shqetësim global. Projeksione të bëra nga studiues tregojnë se deri në vitin 2050, 740 milion fëmijë do të jenë miop.
Ushqimet që ne konsumojmë kanë ndikim në shëndet dhe se disa ushqime janë të domosdoshme për të përmirësuar shikimin. Ajo rekomandon që ato nuk duhen hequr nga tavolina, veçanërisht kur bëhet fjalë për fëmijët.
“Karrota, boronica që janë vitaminat e syrit, që janë antioksidantët dhe luteina, zeaksantina që janë ushqime që duhet patjetër ti ketë organizmi. Karrotat unë iu them prindërve që nëse nuk i hanë mund t’ua fusni në supë, ose të ia shtrydhni. Pra ekziston mundësia e ushqimit, sepse syri do shumë ushqime me antioksindatë, do betakarotenin, të verdhën e vezës, portokallin, spinaqin, pa të gjitha perimet dhe zarzavatet që çdo familje ka mundësi të ushqejë fëmijën e tij”, tha Zhuka.
Përpos ushqimit, okulistja kërkon të bëhet kujdes me qëndrimin e fëmijëve.
“Unë iu jap një mesazh prindërve që të jenë më të kujdeshëm dhe të qëndrojnë më afër tyre duke parë ndryshimet që vihen re në pozicionin dhe posturën që mbajnë fëmijë gjatë qëndrimit ulur. Kur ushqehet apo lexon, nëse fëmija ka tendencë të përkulet, të rrijë afër pjatës ose ti afrohet televizorit, detyrimisht duhet të planifikojë një vizitë tek okulisti për të kapur problemin në fazë më të hershme. Flasim për moshat 3, 4 dhe 5 vjeç”, u shpreh Zhuka.
Okulistja këshillon që fëmijët të nxirren në natyrë për të qetësuar sytë. Në pamundësi për ti shkëputur fëmijët nga ekranet, ekspertja thotë që për çdo 20 minuta, qëndrimi përpara televizorit apo kompjuterit të bëhen 20 sekonda pushim dhe hedhje të shikimit larg për tu qetësuar.