VOLTIZA DURO/ Shtatzënia është një periudhë delikate dhe e rëndësishme për zhvillimin e fëmijës dhe shumë gra përdorin suplemente dhe vitamina për të siguruar një zhvillim të shëndetshëm të fetusit.

Megjithatë, ekziston një shqetësim i vazhdueshëm për ndikimin që mund të kenë këto vitamina dhe suplemente në shëndetin e fëmijës, duke përfshirë rrezikun për çrregullime neurozhvillimore si autizmi. Në një intervistë për gazetën “Panorama”, mjekja neuropediatre Migena Kika tregon se edhe pse shumë gra mund të marrin këto produkte për të reduktuar rreziqet e mundshme gjatë shtatzënisë, është e rëndësishme të kuptojmë se marrja e paekuilibruar e vitaminave dhe suplementeve mund të ketë pasoja të papritura.

Mjekja më tej sqaron edhe një nga diskutimet më të nxehta lidhet me vitaminën D, acidin folik, hekurin dhe acidet yndyrore omega-3, të cilat janë të lidhura me zhvillimin e trurit dhe sistemit nervor të fëmijës.

Gjysma e shtatzënive janë të paplanifikuara dhe në shumë raste suplementet dhe vitaminat nuk përdoren. A shton kjo rrezikun për autizëm?

Ka shumë studime dhe evidenca të ndërmarra për të përcaktuar lidhjen midis multivitaminave dhe autizmit, por shumë prej tyre nuk raportojnë një lidhje direkte shkakpasojë. Në shumë raste, mënyra e jetesës së nënës së ardhshme ndikon në uljen apo shtimin e rrezikut. Psh., stili i jetesës, një dietë e shëndetshme etj., mund të shpjegojnë një lidhje midis multivitaminave dhe suplementeve dhe autizmit. Disa studime sugjerojnë një lidhje mes nivelit të ulët të vitaminës D dhe zhvillimit të autizmit.

A mund të na jepni më shumë informacion për këtë?

Vitamina D luan një rol të rëndësishëm në zhvillimin e trurit. Një nivel i ulët i përqendrimeve në gjak të vitaminës D3 mund të çojë në rritjen e vëllimit të trurit, ndryshimin e formës së trurit apo ventrikuj të zgjeruar. Të gjitha këto ndryshime janë vërejtur në individët me autizëm.

Fëmijët që lindin me nivele të ulëta të vitaminës D në gjak kanë 33% shanse të zhvillojnë autizëm më vonë, sipas një studimi të kryer në Suedi. Kjo shton rëndësinë e niveleve në normë të vitaminës D te nëna, sidomos në tremujorin e fundit të shtatzënisë. Studimet e para të lidhjes së vitaminës D të dhënë gjatë shtatzënisë datojnë që më 1930. Një studim i kryer në Londër në këtë vit pohon që dhënia e vitaminës D në gratë shtatzëna ul rrezikun për preeklampsi dhe lindje para kohës, dy faktorë rreziku kryesorë që fetusi më vonë të zhvillojë autizëm.

Evidencat e kohëve të fundit tregojnë se nivele të ulëta të vitaminës D tek nëna gjatë shtatzënisë lidhen me rrezik më të lartë që fëmija të zhvillojë autizëm. Një studim në Holandë tregon një rrezik për autizëm dy herë më të lartë lidhur me nivele të ulëta të vitaminës D në tremujorin e dytë të shtatzënisë.

Atëherë, çdo grua në shtatzëni duhet të marrë suplemente të vitaminës D?

Në fakt, evidencat tregojnë se fëmijët e grave që marrin doza të larta të vitaminës D gjatë tremujorit të fundit të shtatzënisë nuk kanë ndonjë ndryshim në neurozhvillim krahasuar me fëmijët e nënave, të cilat nuk kanë marrë këto suplemente. Në nivelin e vitaminës D ndikon, siç dihet, edhe ekspozimi në diell, ndaj disa studime janë fokusuar në prevalencën e autizmit te bebët e ngjizur gjatë muajve të dimrit, ku ka më pak ekspozim në diell. Në një studim në Skoci, 1.3% më shumë fëmijë të ngjizur gjatë muajve të dimrit u diagnostikuan me autizëm, paaftësi intelektuale apo çrregullime në të mësuar, krahasuar me fëmijët e ngjizur në verë. Por disa studiues besojnë se kjo mund të lidhet dhe me rrezikun më të lartë për grip dhe viroza të tjera gjatë muajve të dimrit dhe rrezikun e lartë për autizëm që ka çdo lloj infeksioni i kaluar nga nëna shtatzënë.

Çfarë roli ka acidi folik?

Acidi folik është një formë sintetike e folateve, një nga vitaminat e grupit B mjaft e rëndësishme për proliferimin qelizor dhe zhvillimin neuronal, sidomos në shtatzëni. Niveli i ulët i folateve gjatë zhvillimit fetal ka kohë që lidhet me defekte të lindura tek bebe, si spina bifida dhe anencefalia. Për të shmangur këtë, rekomandohet që gratë shtatzëna të marrin suplemente me acid folik. Përveç kësaj, në 1998, FDA në SHBA vendosi fortifikimin me acid folik të drithërave, cerealeve etj.. Por folatet e marra në mënyrë natyrale me ushqimet dhe acidi folik i marrë në formë suplemente nuk janë njësoj. Për më tepër, ndërsa të parën trupi e metabolizon në zorrë, të dytën e metabolizon në mëlçi, e cila ka sasi më të vogël të enzimës që e metabolizon.

Shumë studime lidhin suplementet prenatale me acid folik me rrezik të reduktuar për bebin, jo vetëm për defekte të tubit neural, por edhe për autizëm. Ky rrezik madje ulet edhe në gratë shtatzëna që marrin medikamente antiepileptike, si Depakina, të cilat rrisin shumë rrezikun për autizëm. Por shumë studime të tjera kanë gjetur dhe të kundërtën! Një sasi e shtuar acidi folik ka të njëjtat efekte si mungesa e acidit folik, pra rrit rrezikun për autizëm. Ka edhe teori që lidhin prevalencën e shtuar të autizmit në SHBA pas 1998, pikërisht me fortifikimin e ushqimeve me acid folik dhe kështu tejkalimin e dozës së rekomanduar ditore. Atëherë duhet të shmangim marrjen e acidit folik në shtatzëni? Jo, por duhet kujdes për të mos kaluar dozat ditore.

Po suplementet me hekur?

Hekuri është një komponent i rëndësishëm i hemoglobinës, e cila bën të mundur që gjaku të transportojë oksigjenin në organe të ndryshme, përfshirë dhe trurin. Evidencat lidhin mungesën e hekurit, aneminë, me rrezik të shtuar tek fëmija për autizëm, paaftësi intelektuale dhe çrregullim të mungesës së vëmendjes dhe hiperaktivitetit (ADHD). Hekuri mendohet se redukton dhe përgjigjen ndaj aktivizimit imun maternal, duke mbrojtur ndaj disa molekulave që janë proteinat C reactive.

Si mund të ndikojnë acidet yndyrore omega-3 në zhvillimin e fëmijës?

Acidet yndyrore, vaji i peshkut, forcojnë membranën qelizore dhe sigurojnë komunikimin qelizor ndërmjet neuroneve. Ka shumë individë me autizëm që i marrin si suplemente për të reduktuar simptomat e autizmit. Në gratë shtatzëna mendohet se një acid yndyror omega-3 (acidi docosahexaenoic acid) redukton efektet e kequshqyerjes maternale dhe stresit, të cilat alterojnë ekspresionin e gjeneve, duke qenë kontribuuese për autizmin. Por acide të tjera yndyrore nuk kanë të njëjtin efekt. Një tjetër studim thekson se një nivel i lartë i yndyrnave për shkak të dietës ka efekte të dëmshme mbi tru dhe disa nga zonat e trurit të dëmtuara janë në fakt zona që lidhen me autizmin.

A duhet të marrim suplemente gjatë shtatzënisë dhe si mund të jemi të sigurt që po bëjmë zgjedhjen e duhur?

Në rastin e acidit folik duhet shumë kujdes me dozat, sepse mungesa e tij, por edhe sasia e shtuar, mund të dëmtojnë. Acidi folik duhet marrë përpara se gruaja të ngelet shtatzënë, si dhe sidomos në tremujorin e parë të shtatzënisë. Për pjesën tjetër të vitaminave, psh., vitaminën D dhe suplementeve, është e paqartë se kur duhet të merren. Por evidencat tregojnë se duhet të tregohemi të kujdesshëm. Një sasi e ulët, por edhe e lartë e vitaminave dhe suplementeve të marra nga nëna ndikon njësoj dhe shton rrezikun për autizëm. Konsultimi me mjekun përkatës përpara se gruaja të ngelet shtatzënë dhe një përqasje individuale është rekomandimi më i mirë.

/Gazeta Panorama

“”

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re
Berati TV Live Kliko