Transformimi i qendrës për migrantë të ndërtuar nga Italia në Gjader, në kuadër të Paktit Itali-Shqipëri të firmosur nga kryeministrja Giorgia Meloni dhe presidenti shqiptar Edi Rama, në një CPR (Qendër e Qëndrimit për Riatdhesim), mbetet një dështim për qeverinë italiane.
Më 11 prill të këtij viti, siç dihet, anija “Libra” e Marinës Ushtarake italiane kishte transportuar për herë të parë 41 migrantë në Gjader, pas muajsh ku qendra kishte mbetur thuajse bosh. Këta ishin persona që kishin marrë tashmë një urdhër dëbimi, pasi u ishte refuzuar kërkesa për azil ose për arsye të tjera, dhe ishin në pritje të riatdhesimit.
Një lëvizje e pastër propagandistike: në Itali ekzistojnë tashmë rreth dhjetë qendra CPR, të gjitha me probleme serioze të denoncuara shpesh – nga kushtet e mjerueshme të ndalimit, deri te shkeljet e të drejtave të personave të ndaluar, përfshirë raste të vetëdëmtimit dhe përpjekje për vetëvrasje. Megjithatë, Ministria e Brendshme vendosi të transferojë me kosto të larta migrantët në Shqipëri për të treguar se strukturat e ndërtuara me çmim shumë të lartë në Gjader ishin funksionale, edhe pse me një “mision” tjetër.
Por edhe shndërrimi në CPR tregon kufizimet e projektit Meloni. Nga 41 migrantët e transferuar në CPR-në e Gjaderit, kanë mbetur vetëm 25. Vetëm katër persona janë riatdhesuar realisht në vendet e tyre të origjinës, me një skemë të pakuptimtë: fillimisht u dërguan në Shqipëri, më pas u kthyen në Itali dhe prej andej u riatdhesuan – duke rritur ndjeshëm shpenzimet për shtetin italian.
Dymbëdhjetë persona të tjerë që nuk janë më në Shqipëri janë rikthyer në Itali, siç bëri të ditur eurodeputetja e Partisë Demokratike, Cecilia Sala, për “Il Post”, dhe siç u konfirmua edhe nga Shoqata për Studime Juridike mbi Emigracionin (ASGI). Për gjysmën e tyre, gjykatësit e Gjykatës së Apelit të Romës – që me vendim të qeverisë është bërë organi kompetent për procedurat e konfirmimit ose zgjatjes së ndalimit për kërkuesit e azilit (duke ia marrë kompetencat seksioneve të specializuara të gjykatave) – nuk e konfirmuan ndalimin në Shqipëri.
Sipas të dhënave, për gjashtë nga 12 migrantët e rikthyer në Itali nuk u konfirmua ndalimi në Shqipëri për mungesë të bazës ligjore, ndërsa për gjashtë të tjerë sepse nuk ishin të përshtatshëm për ndalimin në CPR-në e Gjaderit për arsye shëndetësore.
Gjykata e Apelit të Romës pranoi argumentin e mbështetur edhe nga ASGI, duke deklaruar se as Protokolli Itali-Shqipëri, as ligji i ratifikimit – madje as pas ndryshimeve të bëra nga Dekreti-Ligji 37/2025 – nuk lejojnë ndalimin e kërkuesve të azilit në CPR-në e Gjaderit. Ky ndalim do të ishte i lejueshëm vetëm në kuadër të procedurave të përshpejtuara kufitare, të cilat për momentin janë pezulluar në Shqipëri në pritje të vendimit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian.
Ministria e Brendshme nuk ka dhënë asnjë shpjegim për arsyet pse 6 migrantët që u konsideruan të papërshtatshëm për trajtim në Shqipëri janë rikthyer në Itali.