Fier – Kandidati i Partisë Demokratike në Fier, Fatjon Semanjaku, është shoqëruar paraditen e sotme në komisariatin e policisë së qytetit, pas një përplasjeje verbale me punonjës të policisë bashkiake.

Ngjarja ndodhi në qendër të Fierit, ku punonjësit po hiqnin një banderolë të vendosur nga ekipi i fushatës së PD-së.

Sipas burimeve, Semanjaku ka kundërshtuar veprimet e policëve bashkiakë, çka ka çuar në tensione në vendngjarje. Për të shmangur përshkallëzimin e situatës, në vend ka ndërhyrë policia e shtetit, e cila e ka shoqëruar kandidatin në komisariat. Pas marrjes në pyetje, ai është lënë i lirë.

Nga ana tjetër, Partia Demokratike e ka cilësuar këtë veprim si “ndalim me urdhër politik”, duke akuzuar autoritetet se po pengojnë fushatën e saj elektorale.

Ngjarja vjen në një moment të ndjeshëm politik, ndërsa fushata elektorale po intensifikohet në të gjithë vendin.

Subscribe kanalin tonë në Youtube për të mos humbur asnjë video të re